Sa ditë fushatë do t’i kenë partitë politike?
Përndarja e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës i ka hapur rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Këtë e kanë bërë sot tashmë ish-deputetët e Kuvendit, të cilët me 89 vota pro u vetëshkarkuan nga kjo pozitë.
Kadri Veseli, i cili e drejtonte Kuvendin deri para shpërndarjes së tij, e ka nënshkruar vendimin për dhënien fund të punës së kësaj legjislature.
Pas këtij akti, tashmë është në dorën e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për ta caktuar datën e zgjedhjeve.
Ligji nr. 03/l-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, në nenin 4 (Data e shpalljes se zgjedhjeve), përcakton kohën për shpalljen e datës së zgjedhjeve.
Pika 4.5 i jep 10 ditë presidentit për ta shpallur datën e zgjedhjeve.
“Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës zgjedhjet e parakohshme caktohen nga Presidenti jo me vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërndarjes. Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe me vonë se dyzetë e pesë (45) ditë pas shpërndarjes”, thuhet në këtë ligj.
Edhe pse ende nuk është caktuar data e zgjedhjeve dhe as periudha për mbajtjen e fushatës zgjedhore, duket se partitë politike nuk do të kenë më shumë sesa 10 ditë fushatë për ta bindur elektoratin e tyre.
“Zgjedhjet e parakohshme rregullohen nga ligjet dhe rregullat e njëjta të KQZ-së sikurse edhe zgjedhjet tjera, përveç se KQZ-ja mund të ndryshojë afatet kohore sipas nevojës në pajtim me rrethanat”, thuhet më tej në nenin 4 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Por, marrë për bazë praktikat e zgjedhjeve të parakohshme në të kaluarën, siç ishin ato të vitit 2017, KQZ-ja i kishte caktuar 10 ditë fushatë zgjedhore.
Vlen të përmendet se partitë politike, edhe para shpërndarjes së legjistalurës, patën nisur me fushata indirekte zgjedhore, duke dalë në terren dhe duke dhënë premtime për të ardhmen. Madje liderët e partive që ishin në koalicion qeverisës, e thumbonin njëra-tjetrën nga terreni.
Nga ky përkeqësim i marrëdhënieve u pa se zgjedhjet e parakohshme nuk do të jetë të largëta.
Kësaj i kontribuoi kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqje për shkak se Gjykata Speciale e ftoi për ta intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
Në drejtim të fushatës zgjedhore, partitë politike tashmë kanë lidhur koalicione, e disa prej tyre janë në kërkim të partnerëve të mundshëm duke synuar fitoren./FaktePlus/