Rusia shënon rekord të viktimave të Covid-19 për të tretën ditë radhazi
Autoritetet ruse të premten regjistruan përsëri rekord të të vdekurve nga Covid-19 – për të tretën ditë radhazi.
Task-forca shtetërore për koronavirusin të premten raportoi 1.254 të vdekur, tre më shumë se të enjten dhe shtatë më shumë se të mërkurën.
Përpos viktimave, gjatë 24 orëve të fundit u raportuan edhe 37.156 raste të reja të të infektuarve. Numri ditor i infeksioneve duket se ka filluar të bjerë në javët e fundit, por ende mbetet më lart se në valët e kaluara të pandemisë.
Përkeqësimi i gjendjes me pandeminë në Rusi po ndodh në kohën kur ende ka shkallë të ulët të vaksinimit dhe sjellje të shkujdesur të publikut në lidhje me masat mbrojtëse kundër virusit. Më pak se 40 për qind e popullsisë gati 146-milionëshe të Rusisë është vaksinuar, shkruan Associated Press, transmeton Gazeta Express.
Disa ekspertë besojnë se shifrat e vërteta të të vdekurve dhe të infektuarve në Rusi janë më të larta se numrat e paraqitur nga autoritetet. Rusia edhe ashtu është bindshëm e para në Evropë për numër zyrtar të viktimave – mbi 261.000.