Rusia paralajmëron BE-në: Nëse vendosni sanksione, i ndërpresim krejt lidhjet
Rusia është e gatshme t’i këpusë lidhjet me Bashkimin Evropian, nëse blloku vendos sanksione të reja dhe të ashpra ekonomike, tha ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov.
Bashkimi Evropian e ka trajtuar mundësinë e sanksioneve shtesë ndaj Rusisë për shkak të trajtimit të opozitarit të burgosur rus, Alexei Navalny, shkruan BBC.
Kur një gazetar e pyeti kryediplomatin rus nëse Rusia po shkon drejt ndarjes me BE-në, Lavrovi u përgjigj: “Jemi gati për këtë. Nëse dëshironi paqe, përgatituni për luftë”.
Lavrovi shtoi se ndërprerja e raporteve do të mund të nxitej nga sanksionet e BE-së që do të krijonin rreziqe për ekonominë, përfshirë fushat më të ndjeshme.
“Ne nuk duam ta izolojmë veten nga çështjet botërore, por duhet të jemi të përgatitur për këtë”, shtoi një ndër figurat kryesore të qeverisë ruse.
Javën e kaluar, Rusia dhe BE-ja ia dëbuan njëra-tjetrës nga tre diplomatë shkaku i mosmarrëveshjeve për trajtimin që po i bëhet politikanit kryesor të opozitës ruse, i cili u burgos posa u kthye nga Gjermania.
Të martën, shefi i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, tha në Parlamentin Evropian se hapi i ardhshëm mund të përfshijë sanksione dhe se ai vetë do të çojë përpara propozime konkrete.
Në tetorin e kaluar, BE-ja u vendosi sanksione gjashtë zyrtarëve të lartë rus dhe një qendre kërkimore për armë kimike, duke i akuzuar ata drejtpërdrejt për përfshirje në helmimin e Navalnyt në muajin gusht.