Rryma shtrenjtohet për 15.4 për qind

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), në mbledhjen e mbajtur të enjten, ka marrë vendim që energjia elektrike të shtrenjtohet për 15.4 për qind. Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi nga një prilli.
Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së Ymer Fejzullahu, ka folur për nevojën e kësaj rritjeje.
“Arsyeja është furnizimi i qëndrueshëm me energji elektrike, meqenëse ne konsiderojmë që nëse nuk kemi furnizim të qëndrueshëm kostoja do të jetë shumë me e madhe sesa kjo rritje e cila është propozuar, ky është minimumi për të pasur 24 orë energji elektrike”, ka theksuar Fejzullahu.
Sipas vendimit të ZRRE-së, ata që harxhojnë 300 kWh, rritja do të jetë 2.88 euro. Për ata që harxhojnë 450 kWh, rritja do të jetë 4.18 euro. Për ata që harxhojnë 600 kWh, rritja do të jetë 5.49 euro. Për ata që harxhojnë 800 kWh, rritja do të jetë 7.23 euro. Për ata që harxhojnë 1000 kWh, rritja do të jetë 10.51 euro. Për ata që harxhojnë 1200 kWh, rritja do të jetë 13.80 euro.
Ymer Fejzullahu në konferencë për media ka thënë se tarifat e reja janë në fuqi deri më 31 mars të vitit 2024, në rast se nuk ka ndonjë kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm për rritje shtesë.
“Është rritje minimale për të reflektuar apo për të pasur furnizim të vazhdueshëm me energji elektrike. Kërkojmë mirëkuptim, pasi rritja ka qenë e detyrueshme të mos kemi ndërprerje të energjisë elektrike”, ka thënë Fejzullahu.