Rruga e lirisë dhe formimi i USHTRISË
Populli shqiptar i Kosovës si autokton në Ballkanin Perëndimor gjatë tërë historisë është i mbushur me luftra e pushtime të një pas njëshme. Duke qenë në një situatë të tillë, nevoja për t’u mbrojtur e për të qenë të sigurt në vendin e vet për shqiptarët e Kosovës, ka qenë e vazhdon të jetë e domosdoshme. E kjo mbrotje është e sigurt vetëm me Ushtrinë, e cila ka në gjirin e saj bijtë e bijat e Kosovës, shkruan FaktePlus.
Tani kur jemi në gjendje paqeje, Kosova pas shpalljes së pavarësisë e dhjetë vite të funksionimit si shtet është gati të bëj hapin tjetër të madh historik, atë të formimit të Ushtrisë së Republikës së Kosovës.
Por, për të ardhur deri këtu ka një histori të tërë. Gjithë populli bëri sakrifica të mëdha. Shumë e shumë u persekutuan, burgosën, u rrahen e malltretuan. Shumë e shumë u flijuan, madje edhe me familje. E shumë të tjerë aktivitetin për liri e kurorëzuan me luftën e armatosur çlirimtare.
Lufta e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) erdhi në kohën e duhur dhe tregoi se tani kishte ardhur momenti i shqiptarëve.
UÇK-ja ishte forcë politiko-ushtarake, e cila zanafillën e saj e kishte mes viteve 1981-1999 dhe bazat tek Lëvizja Politike Ilegale e kohës.
Aktivitetin më të shtuar UÇK-ja e kishte nga viti 1997 e deri në qershor 1999. Gjatë kësaj kohe përveç sfidave të mëdha me të cilat u ballafaqua, me peripeci të mëdha arriti të organizohej në formacione të mëdha, në brigada.
Kjo fazë u karakterizua nga zhvillimi i luftimeve në të gjithë hapësirën e Kosovës, pa vija fronti të përcaktuara, duke i dhënë goditje më të fuqishme armikut shekullor. Bazat strategjike, si Shtabi i Përgjithshëm, spitalet, radioja e agjencia e UÇK-së, u mbrojtën me çdo kusht në Malet e Berishës.
Me vendim të Shtabit të Përgjithshëm u bë edhe thirrja apo mobilizimi për luftë. Thirrjes për luftë iu përgjigj vullnetarisht populli brenda vendit, por edhe një pjesë e konsiderueshme e djemve dhe vajzave që jetonin e punonin në vendet e Evropës Perëndimore, në SHBA e gjetiu. Nga SHBA u krijua “Batalioni Atlantik”, i cili, pasi u stërvit dhe u armatos jashtë Kosovës, u fut në luftë në frontin e Koshares dhe në atë të Pashtrikut.
UÇK kishte edhe Drejtorinë Politike, e cila me përpunimin e strategjisë politike, bazuar në parimet universale të dokumenteve ndërkombëtare dhe të zbatuara me korrektësi në fushën e luftës nga UÇK-ja, e bindi botën demokratike për drejtësinë e luftës që zhvillonte dhe siguroi mbështetjen e SHBA-së e të NATO-s si faktorë të fuqishëm të jashtëm për çlirimin e Kosovës.
Në maj 1999 struktura e UÇK-së përbëhej nga:
- Shtabi i Përgjithshëm dhe 7 Zona Operative:
- Zona Operative Nr.1 e Drenicës me 4 brigada;
- Zona Operative Nr.2 e Pashtrikut me 6 brigada;
- Zona Operative Nr.3 e Dukagjinit me 8 brigada;
- Zona Operative Nr.4 e Shalës me 4 brigada;
- Zona Operative Nr.5 e Llapit me 4 brigada;
- Zona Operative Nr.6 e Nerodimjes me 3 brigada;
- Zona Operative Nr.7 e Karadakut me një brigadë.
Pas përfundimit të luftës në qershor të vitit 1999 erdhi koha për çarmatimin e UÇK-së, e ajo do të kishte pasuesen e saj Trupat Mbrojtëse të Kosovës, e cila zyrtarisht u themeluan me 19 shtator të vitit 1999.
TMK që vepronte në kuadër të Kornizës Kushtetuese të Kosovës kishte detyra që nuk e bënin ushtri, por vetëm si organizatë civile e reagimit dhe ndwrhyrjes në rastet emergjente. TMK ishte aktive deri nw vitin 2009.
Zhvillimet e kohës sollën momentumin e ri politik. Kosova tani po hynte në një fazë tjetër. Pavarësia e saj tashmë ishte opsioni i vetëm. Kjo ndodhi më 17 shkurt të vitit 2008, duke u bërë kështu ngjarja më e rëndësishme në historinë më të re të kombin shqiptar.
Krahas pavarësisë, Kosova tashmë kishte nevojë për një forcë të armatosur më të konsoliduar me detyra e mision të ri. U nevojit të kalonte gati një vit që vendi të bëhej me Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK). Saktësisht me 21 janar 2009, u themelua FSK, e cila erdhi si shkak i shpërbërjes së TMK-së.
Tashmë FSK-ja përbëhej nga 4000 ushtarë aktiv dhe nga 2500 rezervistë. Me këtë formacion plotësoheshin parakushtet e bëra në planin e kryenegociatorit të OKB-së, Martti Ahtissari.
Tashmë kemi një momentum të ri politik. Tani kur jemi në gjendje paqeje, Kosova pas shpalljes së pavarësisë e dhjetë vite të funksionimit si shtet është gati të bëj hapin tjetër të madh historik, atë të formimit të Ushtrisë së Republikës së Kosovës.
Përkundër pengesave të ndryshme që u shfaqën Kosova është gati të realizojë ëndrrën e popullit të saj, duke i dhënë vulën shenjës kryesore të shtetësisë, Ushtrisë së saj.
Edhe kësaj radhe Kosova në krah ka aleatin e saj më të madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat pa rreshtur kanë ndihmuar në të gjitha format tashmë Ushtrinë e Kosovës.
Deputetët e Kuvendit, pasi ditë më parë votuan të gjithë njëzëri pakon e ligjeve për transformimin e FSK-së, përjashto këtu deputetët serbë, tani janë gati për të shkruar historinë për Kosovën, për t’i thënë PO krijimit të Ushtrisë së Kosovës.
Sipas planifikimeve në Ushtrinë e Kosovës janë paraparë të jenë gjithsej 8 mijë pjesëtarë, prej tyre 5 mijë në komponentën aktive dhe 3 mijë tjerë në atë rezervë./FaktePlus