Rruga e integrimeve evropiane, sfidë mbi sfida
Shkruan: Jakup Krasniqi
Kosova jonë ka kapërcyer sfida e sfida, por ka akoma shumë sfida të mëdha si dhe obligime qoftë të brendshme, qoftë të jashtme. Sfidat duhet përballur me kujdes, guxim e përgjegjësi, ndërsa me obligimet duhet të merremi seriozisht, me mirëbesim e me përkushtim. Sfida të jashtme janë rruga e integrimeve në institucionet euroatlantike, anëtarësimi në OKB dhe në mekanizma të tjerë ndërkombëtar dhe rajonalë.
Këto sfida të jashtme varen shumë sesi do t’i kalojmë sfidat e brendshme për ndërtimin e shoqërisë demokratike, të institucioneve demokratike të shtetit dhe funksionimit të tyre sipas ligjeve në fuqi. Shumëçka varet nga zhvillimi ekonomik i vendit e të gjitha së bashku janë të kushtëzuara nga sundimi i rendit dhe i ligjit.
Fundja, nga sundimi i ligjit nisin të gjitha. Ligji ju duhet të gjithëve, si të djathtëve ashtu edhe të majtëve, si atyre me parti dhe atyre pa parti, si burrave edhe grave, ashtu edhe fëmijëve dhe pleqve. Vërtet është kështu, sepse paligjësia, papërgjegjësia, padija, fuqia e muskujve për çdo gjë që të tillët i bëjnë, i bëjnë për vete, familjen e klanin, por jo për shtetin e shtetasit, jo për drejtësinë sociale dhe mundësitë e barabarta për të gjithë.
Të tillët kanë bërë parim jetësor nënshtrimin dhe servilizmin ndaj “sundimtarëve” vendës e të huaj, ky mentalitet fisnor si ndër shekuj ashtu edhe gjatë këtyre 14 vjetëve na ka sjellë këtu ku jemi, prandaj na duhet sundimi i ligjit dhe respektimi i tij nga secili qytetar. Na duhet një mirëbesim shqip për kombin dhe jo për fisin, klanin apo shëmti të tjera nepotiste…
Të dëshmojmë se shqiptarët mund të ofrojnë ide të përgjithshme, një politikë më sentimentale, më të ndjeshme pra, mund të ofrojnë urtësinë e duhur dhe një filozofi dhe lumturi të konceptueshme dhe të pranueshme si të gjitha kombet e përparuara të botës. Pra, ta bëjmë atë që Fallmerayer thoshte me keqardhje se nuk mund ta bëjnë shqiptarët.
Unë besoj në kapacitetin politik e qeverisës të shqiptarëve. Besoj se me bashkëpatriotët e mi luftuam shumë për shtetin e së drejtës. Tani e kemi shansin jetësor për të realizuar aspiratën dhe ëndrrën e brezave për shtet të së drejtës. Shteti i së drejtës nuk mund të realizohet pa vullnetin dhe besimin e qytetarëve tanë. /FaktePlus