Rrjeti social X luajti rol të madh në lejimin e propagandës ruse, sipas studimit të Komisionit Evropian
Rrjeti social X (ish Twitter) i Elon Musk ka pasur rol të madh në lejimin e përhapjes së propagandës ruse për Ukrainën para fillimit të luftës, sipas një studimi të publikuar këtë javë nga Komisioni Evropian, organi qeverisës i Bashkimit Evropian.
Hulumtimit gjeti se pavarësisht angazhimeve vullnetare për të ndërmarrë veprime kundër propagandës ruse nga kompanitë më të mëdha të mediave sociale, përfshirë Meta-n, dezinformimi rus kundër Ukrainës lulëzoi, transmeton Telegrafi.
Lejimi i përhapjes së dezinformimit dhe gjuhës së urrejtjes pa kufij do të kishte shkelur Aktin e Shërbimeve Dixhitale – ligjin e BE-së për mediat sociale – nëse do të ishte kishte hyrë në fuqi vitin e kaluar, përfundoi studimi njëvjeçar i komisionit.
“Gjatë vitit 2022, audienca dhe shtrirja e llogarive të mediave sociale të lidhura me Kremlinin u rrit ndjeshëm në të gjithë Evropën”, zbuloi studimi. “Analizat paraprake sugjerojnë se shtrirja dhe ndikimi i llogarive të mbështetura nga Kremlini është rritur më tej në gjysmën e parë të vitit 2023, i nxitur veçanërisht nga zbutja e standardeve të sigurisë së Twitter-it”.
Platforma e mediave sociale u riemërua së fundmi me emrin X.
BE-ja ka ndërmarrë një qasje rregullatore shumë më agresive ndaj dezinformatave të mbështetura nga qeveria se sa Shtetet e Bashkuara.
Akti i Shërbimeve Dixhitale, i cili hyri në fuqi për kompanitë më të mëdha të mediave sociale më 25 gusht, u kërkon atyre të vlerësojnë rrezikun e informacionit të rremë, të ndalojnë rritjen e më të keqes nga algoritmet.
Më vete, sanksionet evropiane ndaj mediave shtetërore ruse kanë bërë që YouTube dhe platforma të tjera të ndalojnë RT-n, mediumin rus të lajmeve i njohur më parë si Russia Today që dikur ishte një nga kanalet më të ndjekura.
Por, platforma X nuk ishte e vetmja që nuk arriti të ndalonte përhapjen e propagandës ruse, zbuloi studimi. Instagram, Telegram dhe Facebook, gjithashtu tërhoqën kritika.
“Në shifra absolute, llogaritë pro-Kremlinit vazhdojnë të arrijnë audiencën më të madhe në platformat e Meta-s”, shkroi grupi.
Ndërkohë, madhësia e audiencës për llogaritë e mbështetura nga Kremlini është më shumë se trefishuar në Telegram, që kur nisi pushtimi i Ukrainës në shkurt 2022.