Rrjetet sociale të Albin Kurtit ende aktive në uebfaqen e Qeverisë së re
Avdullah Hoti e ka marrë edhe zyrtarisht mandatin e kryeministrit, por si duket jo edhe uebfaqen që i takon atij dhe Zyrës së tij.
Në uebfaqen https://kryeministri-ks.net/ ende është ‘hija’ e kryeministrit të larguar, Albin Kurtit, raporton FaktePlus.
Aty siç shihet, vazhdojnë të mbesin postimet e llogarive zyrtare në rrjetet sociale të ish-kryeministrit.
Ndryshe, Avdullah Hoti e mori sot edhe formalisht pozitën e të parit të legjislativit, por atë nuk ia dorëzoi ish-kryeminstri Kurti.
Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetin social Facebook, Kurti kishte thënë se nuk do të jetë i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të detyrës së kryeministrit te Hoti.
“Kjo qeveri është e paligjshme. Kjo është qeveri koti. Ne jemi qeveria alternative. Nesër, nuk do ta bëj pranim-dorëzimin sepse nuk mund ta pranoj atë që e shkarkova, ndërkohë që edhe u dorëzua te presidenti. Ne vazhdojmë betejën. Do të kthehemi përsëri e shumë shpejt”, kishte thënë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Kuvendi i Kosovës ka votuar të mërkurën për Qeverinë Hoti me 61 vota për.