Rritet Ushtria e Kosovës, i bashkohen edhe mbi 300 pjesëtarë
Mbi 300 rekrutëve që një muaj më parë e përfunduan me sukses trajnimin bazik 9 javor, dhe i janë bashkuar Forcës së Sigurisë së Kosovës, së shpejti do t’u bashkohen edhe mbi 300 pjesëtarë të rinj.
337 pjesëtarë, në mesin e tyre 52 femra, 22 prej komuniteteve pakicë që e kanë përfunduar me sukses trajnimin bazik 9 javor, dhe i janë bashkuar Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kjo ishte gjenerata e parë e rekrutëve që i bashkohen FSK-së pas mandatimit me misionin e ri.
Këtyre rekrutëve të rinj të cilët kanë bërë betimin në fillim të muajit gusht, do t’iu bashkohet edhe grupi i dytë i përbërë prej pak mbi 300 pjesëtarëve.
Ky grup, sipas zyrtarëve të FSK-së, do të fillojë trajnimin e tyre bazik e fizik në gjysmën e dytë të këtij muaji.
Nga zyra për media e Ministrisë së Mbrojtjes, kanë thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se këto trajnime do të realizohen në Kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj.
“Grupi i dytë i rekrutëve të rinj të FSK-së, gjenerata 2/2019, trajnimin bazik (nëntë javorë) e fillojnë me datë 16.09.2019 në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.
Ndryshe në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore, për të ndryshuar mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Përgjegjësitë e reja të FSK-së kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, qytetarëve, pronave dhe interesave të Republikës së Kosovës, si dhe mbështetje ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrjen në operacionet ndërkombëtare./FaktePlus