Rritet qarkullimi i autobusëve nga qytetet e Kosovës për në Prishtinë – ata po punojnë me humbje
Me të filluar faza e dytë lehtësuese nga masat e izolimit, me vendim të institucioneve, respektivisht Ministrisë së Infrastrukturës e Ambientit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, ka nisur edhe qarkullimi i autobusëve ndër-urban, të cilët nuk kanë punuar prej më shumë se dy muaj.
Mbyllja e detyrueshme e shumicës së aktiviteteve për shkak të rrezikut nga përhapja e Koronavirusit, solli probleme të shumta e nga më të ndryshmet për qytetarët e gjithë globit.
E një prej problemeve që u përballën edhe qytetarët e Kosovës, ishte ndalimi i qarkullimit të autobusëve urban dhe ndër-urban në Kosovë, duke pamundësuar kështu që të zhvillohet puna e jeta normale.
Mirëpo, këtij problemi ka një javë që gradualisht po i vjen fundi. Nga 18 maji një numër i vogël kompanish të transportit kanë rifilluar me linjat e tyre të zakonshme dhe ato dita ditës po shtohen.
Kështu ka bërë të ditur për FaktePlus drejtori i Stacionit të Autobusëve të Prishtinë, Luan Hoti.
Ai ka thënë se sot ka pasur rritje të nisjeve nga stacioni në krahasim me ditët e tjera.
“Në krahasim me ditët e kaluara sot ka pasur rritje, dje kanë qenë vetëm 9 nisje ndërsa deri më tash janë realizuar 18 nisje”, ka treguar Hoti.
E me rritjen e qarkullimit të autobusëve, Hoti u shpreh se ka një fluks më të madh të udhëtarëve, por jo si para pandemisë.
Ai thotë se orari i kufizimit të lëvizjes ka qenë arsyeja kryesore e numrit të vogël të udhëtarëve.
“Nga sot ka rritje të transportit. Në krahasim me ditët tjera ka rritje 100%. Shkaktari kryesor është kufizimi i lëvizjes. Kompanitë e transportit janë duke punuar me humbje për shkak të kufizimit të lëvizjes. Nëse je afër është më lehtë, mirëpo nëse dikush vjen nga vendet më larg atëherë i kalon orari i kufizimit të lëvizjes dhe kështu mbetët në stacion dhe rrjedhimisht mund të dënohet”, ka thënë Hoti për FaktePlus.
Ai shpreson se me heqjen e kufizimit të lëvizjes për qytetarët do të ketë rritje të të hyrave, sepse kjo kohë ka qenë situatë e vështirë për këtë ndërmarrje.
“Po presim se a do të merret ndonjë vendim këto ditë. Edhe pse numri i linjave dallon me nisjet që kanë qenë para 13 marsit, ku janë realizuar diku 400 nisje në ditë”, shtoi Hoti.
Sa i përket dezinfektimit të autobusëve, ai thotë se nuk kanë ndonjë udhëzim administrativ për t’i detyruar kompanitë për masa mbrojtëse.
Më herët edhe nga Shoqata e Transportit Rrugor kanë thënë për FaktePlus se kompanitë e transportit ndër-urban po ballafaqohen me humbje të mëdha si pasojë e izolimit, ndërsa tani po ballafaqohen edhe me mungesën e rendeve të udhëtimit, të cilat lëshohet e vazhdohen çdo 3 vite nga Ministria e Infrastrukturës.
Ndër masat për parandalimin e pandemisë Covid-19 ka qenë edhe ndërprerja me efekt të menjëhershëm e transportit ndër-urban në Kosovë si dhe transportin e organizuar ndërkombëtar.
Ky ka qenë ndër vendimet e para të Qeverisë së Kosovës, pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus./FaktePlus