Rritet numri i të prekurve me kancer në Kosovë
Vetëm gjatë dy viteve të fundit janë paraqitur mbi 3000 raste të reja që janë prekur nga lloje të ndryshme kanceri dhe shumica e tyre edhe janë trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Këto janë të dhënat zyrtare nga Klinika e Onkologjisë në QKUK, drejtori i së cilës, Ilir Kurtishi thotë se numri i të prekurve me kancer dita ditës po rritet.
Kurtishi ka thënë për Agjencinë e Lajmeve Fakte Plus se ata që prekën më së shumti nga kjo sëmundje janë vajzat dhe gratë, duke shkuar deri në 95 për qind të rasteve që paraqiten në spitale.
“Kanceri më i shpeshtë është kanceri i gjirit te femrat me rreth 95 % të paraqitjes së rasteve. Pra, nëse kemi 340 të paraqitur me sëmundjen e kancerit 330 janë femra ndërsa 10 janë meshkuj”, ka thënë ai.
Tutje drejtori i Onkologjisë ka shpjeguar se tek meshkujt dominon kanceri i mushkërive për shkak të duhanpirjes.
“Pastaj si tek meshkujt ashtu edhe tek femrat, pra me përqindje të njëjtë është kanceri i zorrës së trashë dhe në rendin e katërt vinë kanceri i organeve gjenitale te femrat, kaceret e pankreasit, kaceret e lukthit e kështu me radhë”, ka sqaruar Kurtishi.
Krahasuar me numrin e të prekurve me kancer viteve paraprake, rastet me këtë sëmundje dy vitet e fundit kanë shënuar rritje, pasi janë paraqitur 3 mijë.
Drejtori Ilir Kurtishi thotë se një përqindje e caktuar e atyre që janë të prekur me kancer jetojnë jashtë vendit dhe për ta nuk kanë të dhëna pasi trajtimin e marrin jashtë Kosovës.
“Një përqindje e pacientëve që ne nuk i evidentojmë është 5 deri në 10 për qind që dalin e marrin trajtim jashtë Kosovës ose që janë shtetas tonë, por që jetojnë jashtë vendit dhe natyrisht marrin trajtimin në vendet e Bashkimit Evropian. Kurse banorë rezident të Kosovës, ata që lajmërohen në klinikën tonë përbëjnë këtë numër prej 1500 deri në 1600 të prekur”, ka thënë Kurtishi.
Ai ka shtuar tutje se Klinika e Onkologjisë ofron kushte optimale, adekuate për mjekimin e të prekurve nga kanceri.
Sipas një përgjigje të shkruar nga Ministria e Shëndetësisë thuhet në vitin 2014 numri i personave të prekur me kancer, e të cilët ishin regjistruar në Institutin e Onkologjisë ishte 760. Në vitin 2015 kjo shifër ishte rritur në 808, ndërsa në vitin 2016 të prekur me kancer ishin 1.236 persona. Ende më shumë kishte në vitin 2017 pasi u paraqiten 1.550 raste të reja t të prekur me kancer.
Hulumtimet dhe të dhënat botërore të prezantuara më parë kanë treguar se në botë janë 14 milionë raste të reja që paraqiten në vit me kancer, derisa parashihet që deri në vitin 2030 të shtohet ky numër në rreth 22 milionë.
Ndërkaq të dhënat tregojnë se nga kanceri në botë aktualisht vdesin rreth 8 milionë persona në vit, derisa deri në vitin 2030 ky numër mund të shkojë deri në 13 milionë.
Sipas studimeve thuhet se në vendet me buxhet të ulët do të shtohen për 70 për qind rastet e vdekjeve nga kanceri, derisa në vendet e zhvilluara deri në 30 për qind, dhe kjo arsyetohet me faktin se vendet e zhvilluara kanë programe strategjike për parandalim të sëmundjes./FaktePlus