Rritet numri i të papunëve të regjistruar në Kosovë
Papunësia vazhdon të jetë ende fenomen shqetësues për Kosovën. E prej gjithë atyre që janë të papunë, kohën e fundit është rritur numri i personave që paraqiten në zyrat e punësimit, të cilat funksionojnë në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Prej gjithsej 144, 972 mijë personave që figurojnë si të pa punë bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave, janë 95 000 që tashmë janë të regjistrua nga shërbimet publike të punësimit në Kosovë.
“Më saktësisht numri i përgjithshëm i të papunëve të regjistruar nga këto qendra të punësimit deri në fund të vitit 2018 është 95,890 persona, ku prej tyre femra janë 43,547, ndërsa meshkuj rreth 52,343”, thuhet në një përgjigje për FaktePlus, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Hyrjet në papunësi për 12 muaj kanë pasqyruar rritje prej 2.2 për qind, duke krahasuar me numrin e të regjistruarave si të papunë nga viti paraprak (2017).
Regjistrimi i femrave është rritur për 3.1% ndërsa meshkujt janë rritur me 1.4%.
Sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, rritja e papunësisë së regjistruar ka ardhur si rezultat i disa faktorëve, si: rritja e cilësisë së shërbimeve të zyrave të punësimit dhe aftësimit profesional në raport me punëkërkuesit dhe punëdhënësit, përcaktimi i Targetave për zyrat e punësimit dhe monitorimi i performancës çdo 3 muaj gjatë vitit etj, shkruan FaktePlus.
Të regjistruar si të papunë sipas rajoneve
Në përgjigjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale thuhet se numri i të papunëve të regjistruar kryesisht është në rajonin e Prishtinës, e cila pasqyron numrin më të lartë të papunësisë me 23.698 persona, ose në mënyrë proporcionale nga rajonet tjera me 25%, derisa ka pësuar rënie në regjistrime nga viti kaluar me rreth -1.5%.
Prizreni është rajoni i dytë me numrin e të regjistruarve si të papunë me rreth 16.087 persona ose 17%, si dhe është pasqyruar rritje për 3.5%.
Mitrovica merr pjesë me 14.880 persona të regjistruar si të papunëë ose 16%, si dhe ka treguar rritje prej 6.7%.
Rajoni i Ferizajt ka treguar rënie në regjistrime për -1.0%, krahasuar me vitin paraprak, kështu që numri i të regjistruarve për këtë vit aktual është rreth 9.862 persona ose merr pjesë në papunësinë e përgjithshme me 10%.
Gjakova ka pasqyruar tregues pozitivë, pasi është shënuar ngritje në regjistrime për 6.4% krahasuar me vitin paraprak, kështu që në këtë vit numri i të regjistruarve si të papunë r është rreth 10.520 persona apo 11%.
Profesioni më i kërkuar në tregun e punës
E personat që paraqiten në zyrat e punësimit, të cilat funksionojnë në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, kërkojnë punë nga më të ndryshmet.
Profesioni më i kërkuar në tregun e punës për vitin 2018 ka qenë profesioni “punëtorë për shërbime dhe shitje”, pasi ka arritur numrin më të madh të ndërmjetësimeve në punësim prej 21.2%, ndjekur nga “profesionet elementare” me 18.7%, si dhe “punonjësit e zejes” dhe profesioneve të ngjashme me 14.7%.
Shkathtësitë profesionale luajnë një rol shumë të rëndësishëm në zënien e një vendi pune, prandaj ndërmjetësimet në punësime të realizuara përmes profesioneve tregon më së miri se cilat profesione dominojnë në tregun e punës dhe shërbejnë si bazë e mjaftueshme për orientim më të mire në karrierë, shkruan FaktePlus.
Sipas të dhënëva të MPMS, shkalla e punësimit nga ndërmjetësimet më së shumti janë bërë në profesionin e operatoreve dhe instaluesve në fabrika dhe makina me 17.6%, mandej “punëtorët në shërbime dhe shitje” me 8.5%.
Vendet e lira të punës sipas profesioneve
Gjatë këtij viti vendet e lira të punës sipas ndarjes profesionale kryesisht janë referuar për punëtorët për shërbime dhe shitje me 16.5%, mandej operatorët dhe instaluesit në fabrika dhe makina me 16.4%, si dhe teknikët dhe bashkëpunëtorët profesional me 15.5%.
Ndërsa vendet e lira të punës që janë pasqyruar në përqindje të vogla janë për menaxherët me 2.4% dhe punëtoret e zyrave dhe asistentet me rreth 7.7%.
Ndërkaq sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), thuhet se dy të tretat e popullsisë së Kosovës është në moshë pune (15-64 vjeç). Po ashtu, pritet që popullsia në moshë pune të rritet shpejt gjatë dekadës së ardhshme, pasi Kosova është ndër vendet me popullsinë më të re në Evropë.
Nga popullsia në moshë pune, sipas të dhënave të ASK-së, 59.1 % nuk janë ekonomikisht aktivë, që do të thotë se ata nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara dhe/ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh.
Nga 40.9 % (490,103 persona) e popullsisë, që është ekonomikisht aktive, 29.6 % (144,972 persona) janë të papunë. Raporti i punësimit ndaj popullsisë (shkalla e punësimit), 28.8% (345,131 persona) janë të punësuar./FaktePlus