Rritet numri i të infektuarve në Shtime shkaku i vizitave familjare
Numri i të infektuarve me COVID-19 në Komunën e Shtimes është rritur, dhe kjo po dyshohet të ketë ndodhur shkaku i vizitave familjare.
9 anëtarë të një familjeje në fshatin Pjetërshticë kanë rezultuar pozitivë, dhe dyshimet janë se infeksioni është bartur nga një i afërm i tyre që jeton në qytetin e Lipjanit, i cili punonte në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, ka thënë se shkaku i vizitave familjare tashmë është konfirmuar edhe një rast në fshatin Voinovc derisa kishte kontakte me një të afërm të infektuar, i cili kishte punuar në kampin “Bondsteel”.
Fshati Pjetërshticë me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë është futur në karantinë.
Përfaqësuesi i këtij fshati Lumni Amrushi ka thënë se banorët janë organizuar menjëherë për t’i dalë në ndihmë familjes së infektuar, e cila ka marrë këtë virus nga një i afërm i tyre nga Komuna e Lipjanit.
Ndërkaq, I G., i infektuari nga fshati Pjetërshticë nëpërmjet telefonit ka thënë se gjendja shëndetësore e tyre është e mirë, me përjashtim të nënës së tyre, e cila ka sëmundje kronike.
Në anën tjetër, edhe të afërmit e tyre në lagjen “Bejtush Gerbeshi” në Lipjan me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë janë futur në karantinë pas rasteve të konfirmuara.