Rritet numri i personave me çrregullime të shëndetit mendor, Prishtina pa mjek e qendra kuruese
Edhe pse nuk ka ndonjë institucion që jep shifra të sakta, mjekët psikiatër thonë se numri i personave të prekur nga çrregullimet e shëndetit mendor në Kosovë është mjaft i madh. E për trajtimin e personave me këso probleme që 15 vite funksionon vetëm një Qendër e Shëndetit Mendor në kryeqytet, në të cilën aktualisht po kurohen rreth 1800 persona që vijnë nga i gjithë regjioni Prishtinës.
Të dhënat e publikuara nga vende të huaja tregojnë se një në 4 persona në botë vuan nga çrregullime të shëndetit mendor, ndërsa në Kosovë nuk ka statistika të sakta për këtë gjë, por mjekët mendojnë se numri është mjaft i madh.
E stigma ose frika nga paragjykimi ka penguar përmirësimin e gjendjes së këtyre njerëzve në Kosovë, pasi personat në fjalë nuk kanë kërkuar ndihmën e duhur dhe në kohën e duhur nga specialistët.
Drejtori i Qendrës për Shëndetin Mendor në Prishtinë, Sami Rexhepi thotë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se këtë vit edhe në vendin tonë numri i atyre që u drejtohen specialistëve për t’u këshilluar në lidhje me shëndetin mendor, ka nisur të rritet.
“Është një guxim i madh të hapësh derën tek një psikiatër. Jemi larg ndërgjegjësimit që duhet me qenë për raportimin e sëmundjeve mendore. Por, në krahasim me vitet tjera është inkurajues fakti që ka filluar të tregohen raste të tilla”, ka thënë psikiatri Rexhepi.
Prishtina me vetëm një qendër, urgjent i duhet edhe një tjetër
Madje, mjeku psikiatër vlerëson se fakti që në qytetin e Prishtinës për më shumë se 15 vite funksionon vetëm një Qendër e Shëndetit Mendor, si dhe numri i kufizuar i stafit, e bën të pamundur të ofrohen maksimalisht dhe sipas standardeve trajtimet.
“Ka shumë raste që ne i mbulojmë. Numri i tyre është rreth 1800 e që vijnë nga i gjithë regjioni. Kur kemi filluar me programin e shëndetit mendor, i cili është i bazuar në komunitet, plani ka qenë që Prishtina t’i ketë dy qendra. Për më shumë se 15 vjet funksionimi kemi mbetur në një qendër në kryeqytet, e që nuk mjafton për shkak se pacientët që vijnë për rehabilitim dhe risocializim kanë qëndrim ditor deri në ora 14:00-15:00 varësisht aktiviteteve që zhvillohen”, thotë Rexhepi për FaktePlus.
Tutje, drejtori i kësaj qendre Sami Rexhepi thotë se është e madhe nevoja e të sëmurëve kronik që të socializohen dhe të qëndrojnë më gjatë në qendër, por për shkak të fluksit të madh, nuk po iu ofrohet trajtimi i duhur.
“Numri i madh i pacientëve nuk po na lejon për të ofruar shërbime aq sa janë nevojat. Kjo për shkak se grupi i stafit është i pamjaftueshëm për të arritur këtë numër të madh të pacientëve. Prishtinës, urgjent i duhet edhe një qendër për t’i zbutur pak a shumë nevojat e pacientëve të cilët kanë nevoja për shërbime ditore”, ka thënë ai.
Mirëpo, Rexhepi thekson se përveç ofrimit të kujdesit në qendër, detyrohen që të intervenojnë edhe në teren për rastet e çrregullimeve tjera të shëndetit mendor, si rastet me ankth, rastet me panik, depresion etj.
“Prioritet kemi sëmundjet kronike psikiatrike, siç është skizofrenia apo depresioni i madh, psikozat. Por, kemi raste që nuk mund të vijnë në qendër, dhe ne kemi edhe ekipet mobile, të cilat shkojnë në vizitat shtëpiake, dhe secila motër i ka mbi vete rastet që i menaxhon. Edhe këtu për shkak të numrit të vogël të ekipit, këto janë të mbingarkuar”, tha psikiatri.
Ai kërkon nga komuna e Prishtinës që sa më parë të caktojë një hapësirë – një sipërfaqe, ku do të ndërtohej edhe një Qendër e Shëndetit Mendor, kurse hapsira aktuale t’i kalojë në pronësi qendrës aktuale.
“Duhet proceduar që kjo tokë të kalojë në pronësi të Qendrës së Shëndetit Mendor dhe të jepet edhe një objekt tjetër për ndërtimin e një tjetre. Bisedat që i kemi pasur në mënyrë joformale është që nuk ka një lokacion të përshtatshëm për një objekt të tillë. Ideja tjetër është që me qenë objekti në komunitet, ku ka njerëz përreth, për me pa njerëzit përreth se këta persona nuk janë të rrezikshëm, se nuk janë një pjesë e gjuajtur anash”, tha psikiatri Rexhepi.
Gjykatat e ngarkojnë edhe me 170 raste Qendrën e Shëndetit Mendor
Një tjetër shqetësim që ka ngritur psikiatri Rexhepi është se Qendra e Shëndetit Mendor së fundmi është ngarkuar edhe me 170 pacientë të tjerë, të cilët me vendim të gjykatave, duhet të kenë mjekim të detyrueshëm.
“170 klientë i kemi që kanë mjekim të detyrueshëm ambulator me vendim të gjykatave. Ata janë një barrë shtesë për shkak se për momentin këtu funksionojmë me pak staf. Unë jam i vetmi psikiatër, janë dy psikologe dhe infermieri, ndërsa në Podujevë janë një psikiatër dhe një infermierë. Dhe raporti mes psikologëve dhe pacientëve, nuk i plotëson kriteret në Kosovë në bazë të standardeve të OBSH-së”, është shprehur Rexhepi.
Duke pasur parasysh se qytetarët e Kosovës përjetuan luftën që ishte me pasoja të rënda, mund të thuhet që ka edhe numër të madh të atyre që janë prekur nga stresi postreumatik.
Psikiatri Rexhepi thotë se personat me çrregullime nga stresit postreumatik si pasojë e përjetimit të luftës, përkundër përpjekjeve të mëdha, nuk janë trajtuar në mënyrë të duhur.
Si do qoftë, mjekët psikiatër vlerësojnë se pjesa më e madhe e sëmundjeve mendore sot janë mjaft mirë të trajtueshme. Sipas tyre, duhet që vetë personat të cilëve u shfaqet problemi apo familjarët e tyre, të mundin stigmën e t’i drejtohen klinikave në mënyrë që gjendja shëndetësore të mos përkeqësohet e të presë çastin e një shpërthimi që mund të jetë dhe fatal. Mjekët psikiatër theksojnë se nëse ofrohet ndihma profesionale e përshtatshme dhe me kohë, atëherë edhe problemet e shëndetit mendor trajtohen në mënyrë të suksesshme./FaktePlus