Rritet konkurrenca në tregun bankar – Një bankë nga Shqipëria vjen në Kosovë
Konkurrenca në sektorin bankar në Kosovë pritet të rritet gjatë këtij viti. Aktualisht në tregun e Kosovës operojnë 10 banka të ndryshme komerciale. Por, ky numër pritet të rritet. Në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), kanë treguar se aktualisht një kërkesë për hapje të bankës është duke u shqyrtuar.
Edhe një bankë e re shumë shpejt do të hapen në territorin e Kosovës. Kërkesa e saj tashmë është duke u shqyrtuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).
Kushtrim Ahmeti zyrtar për media në BQK ka treguar për FaktePlus se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka pranuar dhe është duke shqyrtuar një aplikacion për licencim bankar.
Ai ka thënë se aplikuesi për hapjen e bankës së re është nga Shqipëria.
“Mund të ju konfirmoj që tregu bankar në Kosovë vazhdon të jetë atraktiv për bankat e reja që duan të nisin punën në vendin tonë. Sa i përket “Banka Credins Kosovë, ajo ka dorëzuar aplikacionin zyrtar në BQK dhe ai aplikacion është duke u shqyrtuar”.
FaktePlus ka mësuar nga burimet e veta se edhe “Banka e Diasporës” ka shprehur interesim për t’u hapur në Kosovë.
Mirëpo, në BQK kanë thënë se ende nuk kanë pranuar aplikacion zyrtar.
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës nuk ka pranuar ende aplikacion zyrtar nga ndonjë palë e ashtuquajtur Banka e Diasporës”, ka thënë Ahmeti.
Banka nga Shqipëria “Credins”, që po interesohet të vjen edhe në Kosovë është e banka e tretë më e madhe në Shqipëri sipas aktiveve.
Ardhjen në Kosovë të kësaj banke ditë më parë e ka konfirmuar edhe Maltin Korkuti, drejtor i Përgjithshëm i Bankës, duke thënë se “pas 16 viteve eksperience në tregun shqiptar, Credins Bank ka vendosur të ndërmarrë një tjetër sfidë, duke e shtrirë aktivitetin edhe në Kosovë”.
Në Kosovë sot operojnë 10 banka komerciale dhe përbëjnë 67.5 për qind të aseteve totale të sektorit financiar.
Produktet dhe shërbimet e tyre përfshijnë llogaritë bankare, kreditë, pagesa vendore dhe ndërkombëtare, kartela bankare, garancione bankare, letër kredi, e-banking.
Qasja në shërbimet e këtyre bankave mundësohet aktualisht përmes 223 degëve dhe nëndegëve, 500 ATM-ve dhe 12,303 POS dhe 228.745 llogarive e-banking.
Aktiviteti i tyre dominohet nga kreditë, afati i maturimit të të cilave mund të jetë deri në 15 vjet, varësisht nga lloji i kredisë.
Nga totali i kredive është 2,489 milionë euro, kreditë për ndërmarrjet janë 36.27% ndërsa kreditë për individë 63.51%. Pjesa më e madhe e këtyre kredive absorbohet nga ndërmarrjet e sektorit të tregtisë (50,3% për qind e kredive të ndërmarrjeve), përderisa sektori i industrisë (përfshirë minierat, prodhimtarinë, energjinë dhe ndërtimtarinë) ka 24.27% të gjithsej kredive të ndërmarrjeve. Sektori i bujqësisë aktualisht përbën 3.87% të gjithsej kredive për ndërmarrje.
Bankat komerciale në Kosovë kanë strukturë të ndryshme aksionare. Tetë prej tyre janë banka me kapital të huaj dhe dy me kapital vendor./FaktePlus