Rriten vlerat e manganit në Badoc, rekomandohet mospirja e ujit
Rezultatet laboratorike të mostrave të marra nga uji i Badovcit kanë dalë se ka tejkalim të standardit për mangan. Si rrjedhojë, rekomandohet që uji të mos pihet.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë ka thënë se 15 mostra nga numri total i mostrave të marra më 3 tetor rezultojnë me tejkalim të standardit për mangan, ku tejkalimet fillojnë nga vlera më e ulët prej 0.062mg/L deri në vlerën më të lartë 0.250 mg/L.
E, për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu, norma e lejuar për mangan në ujë të pijes është 0.05 mg/L.
IKSHPK ka sqaruar se në kohën e ndërrimit të stinëve, “paraqitja e fenomenit të manganit në liqenin e Badocit është dukuri e vazhdueshme”.
“Të dhënat e analizave të bërë dhe krahasimi i tyre me të dhënat e ditëve paraprake si dhe përvoja nga situata e vitit 2023, na tregojnë se gjatë kohëzgjatjes së këtij fenomeni, vlerat e manganit kanë tendencë të rritjes së vazhdueshme ditë pas dite, andaj IKSHPK për këtë periudhë rekomandon që uji të mos konsumohet për pije dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale”, thuhet në njoftimin e institutit.