Rriten shtesat për fëmijë
Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se skema e shtesës për fëmijë është ridizajnuar. Për ata që kanë një ose dy fëmijë, Qeveria e Kosovës do të paguajë nga 20 euro shtesa për secilin, nga 10 euro sa ishte në të kaluarën.
Për ata që kanë mbi tre fëmijë, shtesat do të jenë 30 euro për secilin.
Ky ridizajnim do të hyjë në fuqi nga muaji i ardhshëm.
“Skemën e shtesave për nëna dhe fëmijë po e ridizajnojmë dhe me rritje të shtesave po i dyfishojmë për shumicën e nënave dhe në disa raste trefishojmë kur nëna ka tre fëmijë a më shumë. Për fëmijën e parë dhe dytë shtesat do të jenë nga 20 euro në muaj secilit, e për nënat me tre fëmijë e më shumë shtesat do jenë 30 euro në muaj për secilin fëmijë”, ka thënë Kurti.
E, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se llogariten që për 16 vjet, aq sa e parasheh skema, familja me tre fëmijë përfiton mbi 17 mijë euro. Ai ka treguar se në skemë është edhe një nënë që ka 10 fëmijë dhe që është e vetmja me këtë numër fëmijësh në vend.
“Për fëmijën e parë është 20 euro apo 240 euro në vit, për dy fëmijë është dy herë nga 20 euro apo 480 euro dhe me fëmijën e tretë bëhet një kapërcim substancial sepse të tre shtesa bëhet 30 euro, d.m.th 90 euro për tre fëmijët. Do familje me tre fëmijë a më shumë mund të llogarisë që për tërë hapësirën e skemës për 16 vjet do përfitojë mbi 17 mijë euro”.
Pra, deri më tani, shtesat kanë qenë:
🟢 20 euro për fëmijët 0-2 vjeç
🟢 10 euro për fëmijët 3-16 vjec
Ndërsa me skemëm e re, nuk ka më dallim 0-2 apo 3-16, por dallimi bëhet tek numri i fëmijëve që familja ka.
🟢 Për familjen që ka vetëm 1 fëmijë të moshës 0-16 vjeç, familja merr shtesa prej 20 euro/muaj apo 240 euro/vit.
🟢 Për familjen që ka 2 fëmijë të moshës 0-16 vjeç, familja merr shtesa 40 euro/muaj (2×20) apo 480 euro/vit.
🟢 Për familjen që ka 3 fëmijë të moshës 0-16 vjeç, familja merr shtesa 90 euro/muaj (3×30) apo 1,080 euro/vit.
Kapërcimi i madh bëhet tek fëmiu i tretë, i cili familjes ia shton 50 euro/muaj apo 600 euro/vit më shumë, sesa shuma e shtesave që familja merr kur ka 2 fëmijë.
Sepse nga shtesat 40 euro/muaj (480 euro/vit) për dy fëmijë, kalohet në 90 euro/muaj (1,080 euro/vit) për tre fëmijë.
Edhe fëmijët tjerë pas të tretit, shtesat do t’i kenë nga 30 euro secili.