Rriten kapacitetet prodhuese vendore, por edhe çmimet
Taksa 100 për qind e vendosur nga Qeveria e Kosovës nëntë muaj më parë për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina ka ndaluar pothuajse në tërësi eksportin e këtyre dy vendeve në Kosovë.
Të dhënat e Doganës së Kosovës flasin për një eksport minimal të produkteve të këtyre dy shteteve në Kosovë.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë se për nëntë muaj eksporti i produkteve të këtyre dy vendeve në Kosovë ka qenë 11 milionë euro, derisa para vendosjes së taksës vetëm për një ditë eksporti nga këto dy vende ka qenë mbi 1.4 milion euro.
“Të dhënat e Doganës tregojnë se kemi një rënie të theksuar të importit nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Nga Bosnja e Hercegovina rënia e eksportit është 98 për qind, ndërsa nga Serbia është rreth 97 për qind, kjo mund të quhet ndalje komplet e importit, krahasuar me vlerën që ka qenë para vendosjes së taksës”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Stavileci.
Vendosja e kësaj takse nga përfaqësues të bizneseve thuhet të ketë pasur një ndikim pozitiv në industrinë prodhuese, pasi që disa nga këto produkte që vinin nga këto dy shtete, në veçanti nga Serbia, u zëvendësuan me produktet vendore.
Për efektet e taksës në prodhimin vendor disa shoqata ekonomike në Kosovë kanë realizuar disa hulumtime.
Hulumtimet e këtyre organizatave si Aleanca Kosovare e Biznesit dhe Klubi i Prodhueseve të Kosovës, tregojnë se janë rritur kapacitetet prodhuese dhe është rritur numri i të punësuarve në industrinë prodhuese.
Taksa 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina pati një ndikim në rritjen e çmimeve të konsumit.
Një ngritje e çmimeve të konsumit është evidentuar edhe në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 2,6 për qind në muajin korrik 2019 krahasuar me muajin korrik 2018. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit; buka dhe drithërat kanë shënuar rritje për 14 për qind, mishi për 4.7 për qind, perimet 1.2 për qind, rritje kanë shënuar edhe produktet tjera”, thuhet në të dhënat e ASK-së.
Qeveria e Kosovës në muajin nëntor të vitit të kaluar pati vendosur taksë doganore 100 për qind për mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Vendosja e kësaj takse, ishte si kundërpërgjigje ndaj politikave të Beogradit dhe Sarajevës në raport me shtetin e Kosovës.
Qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ditë më parë i kanë bërë thirrje Kosovës për heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë në mënyrë që të vazhdojë dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit për normalizim të marrëdhënieve.