Rriten çmimet e naftës në Kosovë, bëhen gati sa në Gjermani
Në Kosovë përsëri kanë lëvizur çmimet e derivateve të naftës. Ndonëse javë më parë pati një ulje të çmimeve, ato sërish janë kthyer siç ishin më parë. Mëngjesi i së martës, ka sjellë risi sa i përket këtyre çmimeve.
Aktualisht në nivel vendi çmimi i derivateve është mjaftë i lartë për standardin e qytetarëve. Sot në tregun e Kosovës çmimi për një litër naftë është ngritur në 1.15 euro, kurse benzina ka arritur në 1.16 euro.
Kryetari i Shoqatës së naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se çmimet e derivateve në Kosovë pritet të rriten ende gjatë ditëve të vijim.
Ai ka thënë se arsyeja e rritjes së çmimeve, është prodhimi i ulët i derivateve në organizatën botërore “Opec”.
“Sa i përket çmimit të derivateve, çmimin e përcakton Berza dhe organizata prodhuese OPEC. Në këtë organizatë prodhuese, kemi prodhim më të ulët dhe kjo ka ndikuar që çmimet të jenë në rritje në tregjet ndërkombëtare dhe ka reflektim edhe tek ne në Kosovë. Çmimet janë në rritje me shumicë të importit dhe pritet të ketë edhe rritje me pakicë”, ka thënë Berjani për FaktePlus.
Sipas tij, aktualisht qytetarët e Kosovës janë duke u shërbyer me çmimet më të lira krahasuar me çmimet e derivateve në rajon.
Kurse në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) sqarojnë se nuk merren me çmimin e derivateve që shiten në Kosovë.
“Projektligji për Tregti me Naftë dhe Karburante të Ripërtritëshme, nuk rregullon fushën e çmimeve të karburanteve, për faktin se tek ne është ekonomi e lirë e tregut”, arsyetohen zyrtarët e MTI-së.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka nxjerrë çmimet e derivateve në vendet e ndryshme të rajonit, por edhe të Bashkimit Evropian.
Çmimet në disa vende të rajonit
Për një litër naftë në Shqipëri paguhet 1. 37 euro, si dhe për një litër benzinë, 1.38 euro.
Çmime përafërsisht të njëjta sillen edhe në Serbi. Një litër naftë në këtë vend kushton 1.37 euro, ndërsa një litër benzinë kushton 1.22 euro.
Ndërkaq në Maqedoni këto çmime ndryshojnë. Atje një litër naftë kushton 0.99 euro, kurse një litër benzinë 1.05 euro.
Çmimet në disa vende të BE-së
Çmime pak më të larta për derivate variojnë në vendet e Bashkimit Evropian, ndonëse diferenca me vendin tonë është vetëm për disa centi.
Sipas të dhënave në Gjermani, çmimi i naftës për një litër sillet rreth 1.23 euro dhe për një litër benzinë 1.34 euro.
Kurse në Austri një litër naftë kushton 1.21 euro, ndërsa benzina kushton 1.20
Në Francë çmimi për një litër naftë është 1.47 euro, e po këtë çmim e ka edhe benzina.
Ndryshe në Kosovë, çmimi më i lartë kishte shkuar në 1.23, respektivisht në 1.24 cent për një litër. Kurse, javë më parë ky çmim kishte rënë në 1.10 dhe 1.11 cent, për t’u ngritur sërish tani/– FaktePlus