Rreziku që Rusia t’ia mësyjë Ukrainës duket serioz, Blinken telefonon 9-shen e Bukureshtit
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka biseduar sot në telefon me 9-shen e Bukureshtit, grupi aleat i NATO’s në krahun lindor.
Sekretari amerikan dhe Ministrat e Jashtëm të këtyre vendeve (Bullgaria, Çekia, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania dhe Sllovakia) diskutuan lidhur me situatën e krijuar në kufi me Ukrainën për shkak të pranisë së ushtrisë ruse si dhe nevojën për të qëndruar të bashkuar, të gatshëm dhe të vendosur për mbrojtjen e aleatëve të NATO’s.
Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit Ned Price, Blinken theksoi përkushtimin e SHBA’së për konsultim dhe koordinim të ngushtë me të gjithë aleatët dhe partnerët që të punohet drejt de-përshkallëzimit të situatës.
Gjithashtu thuhet se u bisedua rreth Lituanisë e cila po përballet me presion politik dhe detyrim ekonomik nga Kina.
Ndërkohë dhjetëra civilë i janë bashkuar rezervave të ushtrisë së Ukrainës në muajt e fundit, teksa është rritur frika se Rusia – që Kievi thotë se ka grumbulluar rreth 100,000 trupa në pjesën e saj të kufirit – po përgatitet të nisë një sulm të madh.