Rreziku nga kriza e mundshme sociale, konfirmohet takimi urgjent me sindikatat
Krerët e tri sindikatave në Kosovë, ajo e Arsimit, Shëndetësisë dhe e Policisë po kërkojnë takime urgjente me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën, kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinajn, si dhe Avokatin e Popullit, Hilmi Jasharin.
Zhvillimet e fundit politike, sidomos zvarritja në formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, janë tregues se tashmë Kosova ka hyrë në një krizë të përgjithshme, përkatësisht po i afrohet një bllokimi të tërësishëm, pasi nuk ka buxhet të miratuar.
Kosova ka nisur vitin edhe vitin 2020 pa buxhet të miratuar shkaku i vonesave për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, i cili është institucioni kyç për kalimin e buxhetit.
Megjithatë edhe pas konstituimit të tij më 26 dhjetor të vitit të kaluar deputetët ende nuk janë mbledhur për t’ia dhënë dritën jeshile miratimit të buxhetit, pasi nuk ka qeveri që procedon më buxhetin.
Kjo situatë i ka trazuar punëtorët e sektorit publik, të cilët nëse vazhdohet kështu nga muaji prill do të mbesin pa paga.
Kështu krerët e tri sindikatave më të mëdha në Kosovë, ajo e Arsimit, Shëndetësisë dhe e Policisë po kërkojnë takime urgjente me krerët e institucioneve për të gjetur një zgjidhje.
E kërkesës së tyre si duket i është përgjigjur vetëm kryeparlamentari, Glauk Konjufca, i cili më 26 dhjetor të vitit të kaluar u zgjodh në krye të Kuvendit.
Kryesindikalistët, Konjufca do t’i pres nesër në zyrën e tij, me ç’rast do të diskutohet për hapat e mëtutjeshëm që mund të merren rreth aprovimit të buxhetit për vitin 2020.
Ndërsa nga Institucioni i Avokatit të popullit kanë thënë se shumë shpejt do të aranzhohet ky takim.
“”Institucioni i Avokatit të Popullit më 14 janar ka pranuar kërkesën për takim nga sindikata e arsimit, shëndetësisë dhe policisë. Jemi duke u munduar të gjejmë hapësirë në agjendën e Avokatit të Popullit që sa më parë të caktojmë takimin në fjalë”, kanë thënë nga ky Institucion.
FaktePlus ka kërkuar edhe nga zyra e kryeministrit nëse do të mbajnë takim me sindikatat, por këta të fundit nuk kanë treguar asgjë.
Takimin e nesërm me kryeparlamentarin e ka konfirmuar kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari. Ai në një deklaratë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, ka thënë se po presin përgjigje edhe nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj dhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.
“Pritet që nesër në zyrën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës të kemi një takim me Glauk Konjfcën. Nuk na është konfirmuar ora e takimit, por që takim do të kemi me të. Ne jemi në pritje të një përgjigjeje për takim edhe nga kryeministri dhe Avokati i Popullit”, ka thënë Jashari.
Ai ndër të tjera ka thënë se mosmiratimi i buxhetit në kohë për vitin 2020, do të sillte trazira sociale në vend. Sipas tij, projektligji për buxhet, është sirtarëve të Kuvendit dhe duhet të procedohet tutje.
“Ne jemi duke u bërë gati për këtë takim, presim zgjidhje. Mos miratimi i këtij buxheti do të prekte mijëra punëtorë. Kjo do të ishte një situatë jo e këndshme dhe do të sillte trazira në vend. Punëtorët tanë presin këto paga sepse kanë obligime familjare. Ne kemi informacione se qysh në tetor është dorëzuar ky projektligj në Kuvend dhe i njëjti kërkojmë nga kryeparlamentari që të dorëzohet për votim në Kuvend”, ka thënë Jashari.
Ndryshe, vonesat në formimin e qeverisë, pritet të shkaktojnë probleme buxhetore në vend. Zyrtarë nga ministria e Financave thonë se në rast që nuk formohet qeveria e re, pas muajit mars nuk do të mund të realizohet asnjë pagesë, përfshirë edhe pagat e punonjësve shtetërorë.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën më 6 tetor dhe nga atëherë Kosova ka mbetur pa institucione. Kjo si shkak të neglizhencës së partive fituese për të lidhur në koalicion qeverisës./FaktePlus