Rreziku nga Koronavirusi në Kosovë, masa të rrepta nëpër autobusë
Pavarësisht se sëmundja vdekjeprurëse e koronavirusit tashmë është përhapur thuajse në gjithë botën, duke përfshirë edhe vendet e Ballkanit, Kosova vazhdon të qëndrojë e paprekur nga ky virus.
E ndonëse në Kosovë nuk ka ende ndonjë rast të konfirmuar, rastet e paraqitura në vendet fqinje kanë ngritur alarmin edhe për institucionet tona, të cilat kanë filluar të marrin masa për mbrojtje nga ky virus i rrezikshëm.
Ka qenë i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, i cili paralajmëroi masa mbrojtëse.
Ai madje ka paralajmëruar se do të mbyllen qendrat për të moshuar dhe do të dezifektohen autobusët e ndërmarrjes “Trafiku Urban”.
“Prej sot fillojmë masat parandaluese për COVID-19. Prej nesër do t’i mbyllim përkohësisht Qendrat për të Moshuarit për shkak të rrezikut më të lartë nga virusi për të moshuarit. Këto ditë do bëjmë dezinfektimin e autobusëve të Trafikut Urban. Nesër do të shqyrtojmë edhe masa tjera”, ka shkruar Ahmeti në rrjetin social.
E dezinfektimin e autobusëve të “Trafikut Urban” do ta bëjë një kompani e kontraktuar nga Komuna e Prishtinës.
Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Komunale “Trafiku Urban”, Lulzim Rexhepaj tha se spërkatja e autobusëve bëhet në kuadër të masave mbrojtëse, ndërsa edhe stafi i ndërmarrjes do të pajiset me mjetet mbrojtëse, shkruan FaktePlus
“Ne si ndërmarrje publike i kemi marrë disa masa duke u furnizuar me materiale higjienike, siç janë maskat, dorëzat laboratorike dhe detergjenti që do të përdoret për stafin e autobusit. Nga komuna e Prishtinës jemi njoftuar se do të vjen një kompani e cila merret me dezinfektimin. Në mbrëmje do të dezinfektohen të gjithë autobusë . Fillimisht autobusët do t’i nënshtrohen pastrimit rutinor që ne i bëjmë dhe më pastaj do të bëhet dezinfektimi i tyre”, ka thënë Rexhepaj.
Numri një i ‘Trafikut Urban’ tutje ka treguar se a mund të ketë reduktim të linjave të udhëtimit si shkak i këtij virusi.
“Nuk mendoj se do t’i reduktojmë linjat, mendojmë që të operojmë me rregull por stafi jonë do t’i përdor masat mbrojtëse. Jemi të informuar se nga nesër do të fillojmë trajtimin e stafit të autobusëve ku do të shkohet për të marrë udhëzime ndaj këtij virusi”, ka thënë Rexhepi.
E masa mbrojtëse në transportin publik do të ndërmerr edhe “Stacioni i Autobusëve në Prishtinë”.
Kjo ndërmarrje me vetiniciativë do të bëjë dezinfektimin e objektit të stacionit të autobusëve, si dhe informimin e stafit me masa mbrojtëse.
Zyrtarja e lartë për media në këtë institucion, Shqipe Durmishi ka thënë për FaktePlus se do të shtohen masat e higjienës dukshëm në objektin e stacionit të autobusëve.
“Ne me vetiniciativë kemi marrë mbrojtëse shtesë për punëtorët dhe hapësirën në të cilën e posedojmë. Në fillim të këtij viti ne kemi bërë edhe dezinfektimin e objektit dhe deratizimin që nuk ka të bëjë me virusin që është aktual dhe kemi marr masa me pajisje dezinfektuese për punonjësit dhe gjithë punëtorët. Sot kemi edhe në plan të bëjmë edhe dezinfektimin e gjithë objektit dhe kemi informuar stafin me informacione shtesë për të rritur nivelin e higjienës dhe është shtuar kujdesi ndaj pastërtisë në stacion”, ka thënë Durmishi.
Ndryshe në Kosovë nuk është shënuar ende asnjë rast pozitiv me koronavirus (COVID-19), por si të dyshuar të prekur me këtë virus deri tani janë testuar rreth 80 mostra të personave në Kosovë./FaktePlus