Rreziku i bllokimit të dialogut, çfarë di Qeveria e Kosovës?
Mbajtja e raundit të radhës të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i planifikuar të mbahet më 28 shtator në Bruksel, është në pikëpyetje. Shkak për këtë është raportuar të jetë refuzimi i institucioneve të Prishtinës për të diskutuar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit Avdullah Hoti i ka thënë Gazetës Express se Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë informacion zyrtar se takimi i paralajmëruar do të anulohet apo nëse ekziston mundësia që të mos mbahet.
“Zyrtarisht nuk kemi ndonjë informocacion të tillë”, ka thënë Beqiri.
Për këtë çështje dje është kontaktuar edhe koordinatori i Kosovës në dialog, Skender Hysenin, që në takimin e fundit me Serbinë në Bruksel ka deklaruar se ishte përplasur me palën serbe për shkak se ata po insistonin që asociacioni të jetë temë e diskutimit.
Edhe presidenti Hashim Thaçi në një konferencë për media kishte thënë se kjo çështje nuk duhet të shtrohet në tavolinën e bisedimeve me Serbinë. Një asociacion i tillë i komunave është kundërshtuar edhe nga opozita.