Rreth 6 mijë pako me fletëvotime të supozuara kanë ardhur deri tani nga diaspora
Rreth 6 mijë pako më fletëvotime të supozuara nga qytetarët që janë regjistruar në diasporë për të votuar për zgjedhjet e 6 tetorit, kanë ardhur në adresën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ndërsa, për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, nga diaspora janë regjistruar 42 mijë shtetas të Kosovës që jetojnë në diasporë.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se ende është duke vazhduar periudha e votimit të diasporës përmes postës.
“Po, po vazhdon periudha e votimit përmes postës. Deri më 1 tetor kemi pranuar 5 mijë e 900 pako të supozuara me fletëvotime”, ka thënë Elezi.
Të gjithë ata që janë regjistruar për votim, do të mund ta kryejnë këtë deri me 5 tetor, një ditë para votimit në Kosovë.
“Fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja deri më datën 5 tetor 2019”, ka theksuar ai.
Ndërsa, numërimi i votave që do të vijnë përmes postës, do të bëhet pas mbajtjes së zgjedhjeve me 6 tetor, pasi të zhvillohen të gjitha procedurat e parapara me ligj.
“Numërimi i votave përmes postës bëhet në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, pas ditës së zgjedhjeve dhe pasi të zhvillohen të gjitha procedurat e parapara”, ka thënë zëdhënësi Elezi.
Në bazë të aplikimit, ky është numri më i madh i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në diasporë, që kanë shprehur interesim për të votuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen me 6 tetor. /FaktePlus