Rreth 500 shtretër dhe 142 respiratorë për rastet me COVID-19
Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) aktualisht ka rreth 500 shtretër në dispozicion, me mundësi dyfishimi sipas nevojës, për menaxhimin klinik të rasteve me COVID-19,konfirmojnë zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas tyre, pas shpalljes së gjendjes emergjente shëndetësore në Kosovë, një numër klinikash në QKUK, janë shndërruar në klinikë ku trajtohen vetëm rastet me koronavirus.
Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë, thotë për Radion Evropa e Lirë që vetëm Klinika Infektive i ka 125 shtretër, një repart izolimi me 40 shtretër, të lidhur me oksigjenim qendror dhe një dhomë të mjekimit intensiv me 6 shtretër.
“Por, pas shfaqjes së rasteve me COVID-19, e tërë Klinika Infektive është shndërruar në klinikë ku trajtohen vetëm rastet me COVID-19 dhe është mobilizuar edhe një numër më i madh i respiratorëve, por që deri tash, nuk ka pasur nevojë të përdoren. Gjithashtu, në funksion të menaxhimit klinik të rasteve me COVID-19 në dispozicion janë vënë edhe të gjithë shtretërit e Klinikës së Pulmologjisë, Klinikës së Dermatovenerologjisë, Klinikës së Imunologjisë dhe objekti i ri i Mjekësisë Sportive, që ka kapacitet prej 100 shtretërish dhe të lidhur me oksigjen qendror”, tha Hoti.
Respiratorët e rinj, në prill dhe maj
Sipas Hotit, aktualisht në Kosovë gjenden 142 respiratorë, 95 prej të cilëve gjenden në sektorin publik dhe 47 në sektorin privat. QKUK-ja, aktualisht posedon 68 respiratorë, ndërkaq 27 të tjerë gjenden në spitalet e përgjithshme.
Ministri i Shëndetësisë i Qeverisë së Kosovës, Arben Vitia, më 21 mars, ka deklaruar se drejtuesit e spitaleve private i kanë vënë në dispozicion kapacitetet e tyre, që të përdoren në funksion të menaxhimit të situatës me koronavirusin e ri, nëse do të ketë nevojë. Gjithashtu, ai ka theksuar se ka porositur respirator të rinj.
“Kemi porositur 50 respiratorë të rinj dhe po presim edhe disa, njëra pjesë në muajin prill, njëra në maj”, ka thënë Vitia.
Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë konfirmuar se për 50 respiratorë të rinj janë ndarë edhe mjetet buxhetore. Sipas tyre, nëse procedurat shkojnë sipas parashikimeve, gjysma e këtij numri të respiratorëve pritet të vijnë në Kosovë në fund të prillit, ndërkaq gjysma tjetër në fund të muajit maj.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, deri më tash, Laboratori i Mikrobiologjisë Molekulare i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP) ka testuar 732 mostra të dyshimtë në COVID-19.
Në dispozicion ka edhe rreth 900 kite të tjera. Kjo ministri ka njoftuar se në proces të sigurimit, brenda pak ditësh, janë edhe 4,000 deri 7,000 kite të reja. Sipas kësaj ministrie, kontrata është nënshkruar dhe është çështje orësh ose dite që pjesa më e madhe e tyre të jetë në dispozicion të IKSHPK-së.
Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë thonë që ekziston edhe një angazhim i madh i kontribuuesve vendorë nga sektori farmaceutik, për të ndihmuar me mjete mbrojtëse dhe pajisje mjekësore.
Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 10 milionë euro, për zbatimin e Planit të veprimit të Planit të gatishmërisë dhe të reagimit për COVID-19, prej të cilave 6,2 milionë euro janë vënë në dispozicion për shpenzime të menjëhershme.