Rreth 20 autobusë me serbë ia mësyjnë Beogradit, Policia e Kosovës ndalon disa prej tyre në kufi
Janë shtatëmbëdhjetë autobusë me qytetarë serbë nga rajoni i Gjilanit që janë nisur gjatë ditës së premte për të marrë pjesë në mitingun po mbahet në Beograd nga partia e Aleksandër Vuqiçit. E disa prej këtyre autobusëve janë ndaluar në pikën kufitare nga autoritetet e Republikës së Kosovës.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka mësuar se disa autobusë janë ndaluar të kalojnë në pikën kufitare në Konçul, pasi nuk kanë pasur dokumentacionin e nevojshëm.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka konfirmuar se ndalesa e disa autobusëve është bërë për shkak që nuk kanë poseduar dokumentet e nevojshme për qarkullim.
“Kryesisht shumica prej tyre që kanë plotësuar dokumentet e nevojshme kanë kaluar, ndërsa vetëm disave iu është refuzuar kalimi”, tregoi Kelani për FaktePlus.
Ai ka potencuar se udhëtarët të cilët kanë qenë në autobusët të cilët iu është refuzuar dalja për arsye të mungesës se dokumentacionit të nevojshëm, janë lejuar të kalojnë kufirin.
“Vlen të potencohet se të gjithë udhëtarët/qytetarët te cilët kanë qenë në autobusët të cilëve iu është refuzuar dalja për arsyet zyrtare të potencuar, janë njoftuar se të njëjtit mund të vazhdojnë/kalojnë kufirin pa probleme”, tha Kelani për FaktePlus.
Tutje ai ka sqaruar se Policia e Kosovës bazuar në procedurat ligjore për qarkullim dhe kalim të kufirit, i ka lejuar të gjitha automjetet dhe autobusët transportues të cilët kanë plotësuar kushtet dhe dokumentacionet të kalojnë nga Kosova drejt Serbisë pa asnjë pengesë./FaktePlus