Rreth 17 vjet burg për kosovarin që e mbyti truprojën
Gjykata e Qarkut e Cyrihut ka dënuar sot me 16 vjet e gjysmë burg shtetasin zviceran me prejardhje kosovare, 36 vjeçarin Jeton G. Trupi gjykues ka hequr dorë nga shqiptimi i masës së kujdestarisë ndaj të dënuarit, masë kjo që ishte kërkuar nga prokuroria, shkruan sda.ch.
Siç ka shkruar edhe albinfo.ch, personi tashmë i dënuar, kishte vrarë në rrugë të hapur me armë zjarri një truproje me prejardhje malazeze.
Dënimi i është shqiptuar për veprën penale vrasje me paramendim (dhe pjesërisht tentimvrasje të shumëfishtë) si dhe për delikte tjera të ndryshme.
Vrasja ka ndodhur më 1 mars të vitit 2015 në Affoltern të Cyrihut. Autorin e vrasjes dhe viktimën, i cili ishte truproje dhe sportist marcial, i lidhte një armiqësi disavjeçare.
Dy personat që e shoqëronin kosovarin, një turk 25 dhe një çeçen 35 vjeçar kanë marrë po ashtu dënime, përcjell albinfo.ch. Turku është dënuar me heqje lirie pjesërisht me kusht, prej tri vitesh dhe me gjobë me kusht. Gjykata ka hequr dorë nga dëbimi i tij prej Zvicrës. Ndërsa çeçeni është dënuar me burg me kusht dhe me gjobë, po ashtu me kusht.
Jeton G., në procesin gjyqësor ka thënë se ndjehet “tmerrësisht keq” për vrasjen. Ai ka shtuar se kishte pasur për qëllim një “luftë por jo një vrasje”.