Rrëqethëse: 23 vjet nga masakrimi i 350 shqiptarëve, lexoni për tmerrin që serbët kryen në Mejë (Dosje)
Ky artikull është shkruar dhe përmbledhur në vitin 2020 nga kryeredaktorja e Periskopit, Dafina Demaku. Lexoni të PLOTË KËTU, dosjën e masakrës së Mejës)
Para 23 vjetësh, një operacion 24 orësh i forcave paramilitare serbe në Gjakovë, më datë 27 dhe 28 prill 1999, bëri që në Kosovë të shënohej masakra më e madhe.
350 shqiptarë u deportuan nga shtëpitë e tyre për t’u masakruar më pas. E njohur ndryshe edhe si ‘Masakra e Mejës’, ajo do të ishte një nga masakrat më të tmerrshme në Kosovë.
Forcat serbe kishin përgatitur në detaje këtë operacion, të njohur si ‘Operacioni Reka’. Por, kush qëndronte prapa këtij operacioni? Cilët janë emrat që organizuan gjithçka dhe kush përkujdesej minutë pas minute se çka dhe si do të kryhej në këto fshatra të Gjakovës?
Si erdhën nga Bosnja, nga Mali i Zi dhe nga Serbia, grupe vullnetare për të marrë pjesë në këtë masakër dhe kush ishin ato? Sa ishte numri i tyre. Cili ishte roli i Arkanit në këtë masakër?
Si urdhëroi Sllobodan Millosheviqi të zhdukeshin provat e krimeve në Kosovë, përfshirë edhe masakrën e Mejës. Periskopi ju sjell detaje rrëqethëse nga Dosja ‘Operacioni Reka’, dosje të cilën, të plotë mund ta gjeni KËTU!
Hyrje: Informata të përgjithshme
Në datën 27 dhe 28 prill të vitit 1999, në fshatrat në perëndim të Gjakovës në Kosovë, është zhvilluar një operacion i gjerë i përbashkët i Ushtrisë së Jugosllavisë (UJ) dhe i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), me emrin Reka. Gjatë këtij operacioni, pjesëtarët e forcave serbe kanë vrarë së paku 350 civilë shqiptarë të Kosovës, kurse me mijëra janë deportuar në Shqipëri. Trupat e 309 të vrarëve janë gjetur në vitin 2001 në varrezat e fshehta masive në periferi të Beogradit. Sulmi i forcave serbe ndaj popullatës civile në luginën e Rekës, sipas numrit të viktimave, është krimi më i rëndë i kryer ndaj civilëve gjatë luftës në Kosovë dhe është një nga më të mëdhenjtë në luftërat në ish Jugosllavi gjatë viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, shkruhet në faqen e Fondit për të Drejtën Humanitare, i cili ka publikuar edhe dosjen e plotë të ‘Operacionit Reka’.
Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish Jugosllavinë (GJNPJ), në aktgjykimet kundër Vllastimir Gjorgjeviqit dhe të ashtuquajturës Pesëshes së Kosovës (Shainoviqi dhe të tjerët) në masë të madhe i ka rekonstruktuar rrethanat e këtij krimi, duke e përfshirë edhe rolin e UJ-së dhe të MPB-së, matricën e krimit dhe operacionet e fshehjes së trupave. Operacioni Reka ka qenë i sajuar nga Korpusi i Prishtinës i AJ-së dhe eprorët më të lartë të MPB-së e me qëllim të dëbimit të shqiptarëve të Kosovës nga fshatrat e komunës së Gjakovës, si dhe si hakmarrje ndaj meshkujve – shqiptarëve të Kosovës për shkak të vrasjes së katër pjesëtarëve të SPB-së së Gjakovës. Me operacionin kanë udhëhequr pjesëtarët e komandës së KP-së, nga një vend komandues në Gjakovë.
Herët në mëngjesin e datës 27 prill të vitit 1999, ushtarët dhe policët, në mënyrë të koordinuar, duke filluar nga pjesa veriore e luginës Reka dhe duke lëvizur në drejtim të jugut, kanë hyrë në fshatrat e banuara nga shqiptarët (Dobrosh, Ramoc, Racaj, Korenica, Molliq, Brovinë, Guskë, Nivokaz dhe të tjera). Kanë hyrë në shtëpitë e tyre dhe iu kanë urdhëruar fshatarëve që të shkojnë për në Shqipëri, duke i drejtuar në drejtim të Gjakovës. Gjatë dëbimit të civilëve nga shtëpitë e tyre, pjesëtarët e forcave serbe kanë vrarë me dhjetëra e dhjetëra civilë. Më së shumti civil, 68, janë vrarë në fshatin Korenicë.
Me dhjetëra mijëra fshatarë, të cilët janë dëbuar nga fshatrat, i kanë formuar dy kolona të traktorëve, që kanë shkuar në drejtim të qytetit të Gjakovës. Kolonat, në fshatin Meje, nga Gjakova, kanë kaluar nëpër dy punkte, të cilat i kanë formuar policët e SPB-së së Gjakovës. Në punkt, policët i kanë ndalë traktorët dhe i kanë ndarë meshkujt, kurse grave, fëmijëve dhe pleqve, pasi plaçkitjes së stolive, iu kanë urdhëruar që ta vazhdojnë rrugën për në Shqipëri. Policët i kanë ndarë 274 meshkuj, në mesin e të cilëve kanë qenë 36 të moshës jomadhore, të cilët janë vrarë në më shumë lokacione të panjohura. Mbetjet mortore të 252 prej tyre janë gjetur në vitin 2001 në varrezën masive në Batajnicë, dhjetë në Meje dhe në fshatrat përreth, kurse për 12 persona edhe sot e kësaj dite bëhen kërkime.
Mënyra e vrasjes së 274 djemve dhe burrave të ndarë në punkte në Meje nuk është e njohur plotësisht. Ky krim është një nga krimet e rralla masive në Kosovë, në të cilin nuk ka persona të mbijetuar, të cilët do të dëshmonin për te. Për mënyrën e vrasjes së grupeve të caktuara të civilëve të vrarë në Meje kanë dëshmuar pjesëtarët e UJ-së, të cilët kanë marrë pjesë në operacionin Reka.
Për krimet në operacionin Reka para GJNPJ është dënuar pothuajse i tërë kreu ushtarak dhe policor i RFJ-së – Vladimir Llazareviqi, ish komandant i Korpusit të Prishtinës të UJ-së, Nebojsha Pavkoviqi, komandant i Armatës së 3-të të UJ-së dhe vartës i Llazareviqit, si dhe Dragoljub Ojdaniqi, shef i Shtabit të Përgjithshëm të UJ-së, Sreten Llukiqi, ish shef i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë për Kosovën dhe Vllastimir Gjorgjeviqi, ish ndihmës i ministrit të punëve të brendshme dhe shef i Resorit të sigurimit publik.
Para gjykatave në Serbi deri më sot nuk janë ndjekur penalisht asnjë person për krimet në operacionin Reka, si edhe për fshehjen e trupave të viktimave në varrezën masive në Batajnicë, me fjalë të tjera për fshehjen e gjurmëve të krimeve. Edhe pse Prokuroria për Krime të Luftës (PKL) qysh në vitin 2004 e ka filluar punën në këtë lëndë dhe e ka paralajmëruar inicimin e hetimeve, kjo, deri në lëshimin e kësaj dosjeje, nuk ka ndodhur.
Sipas të dhënave në dispozicion, në operacionin Reka kanë marrë pjesë njësitë e mëposhtme ushtarake dhe policore të Republikës së Serbisë: brigada e motorizuar 549 e UJ-së, brigada e parashutistëve 63 e UJ-së, batalioni i 52-të i Policisë Ushtarake, brigada e 52-të e artilerisë raketore të UJ-së, brigada e motorizuar 125 e UJ-së, detashmenti ushtarako-territorial 113, pjesëtarë të SPB-së së Gjakovës dhe disa detashmente të Njësive të Posaçme të Policisë (NjPP).
PJESË NGA DOSJA ‘OPERACIONI REKA’
Operacioni i Ushtrisë Jugosllave dhe MUP’it serb i quajtur ‘Reka’ filloi rreth orës 6:00 të mëngjesit. Ai përfundoi në ditën e nesërme, në orën 18:00.
Në këtë operacion, morën pjesë 500 pjesëtarë të ushtrisë jugosllave dhe 400 pjesëtarë të MUP’it. Të paktën 350 civilë u vranë gjatë operacionit.
Sipas dosjes, pjesë të së cilës sjell Periskopi, ata që morën pjesë në këtë operacion, thanë se këtë e kishin bërë ‘në mënyrë që të parandalonin ushtarët e UÇK’së të hynin nga Shqipëria në Kosovë. Por nga dëshmitë e disa prej pjesëmarrësve në operacion, asnjëherë nuk ishte dëshmuar se se kishte indikacione se do të vinin pjesëtarë të UÇK’së nga Shqipëria në Kosovë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish Jugosllavinë ka gjetur se të gjitha viktimat që ishin vrarë në Operacionin Reka ishin civilë si dhe nuk kishte asnjë provë që ‘ndonjëri prej tyre ishte i armatosur ose kishte marrë pjesë në ndonjë operacion ndaj ushtrisë serbe.
Por në urdhërin e tij, ai kishte shkruar se ‘rreth 200 shqiptarë nga fshatrat Racaj, Sheremet dhe Dobrosh, po merrnin pjesë në operacionet kundër ushtrisë serbe edhe pse ishin të veshur si civilë dhe dukshin si refugjatë’. Tri ditë pas këtij urdhëri, civilët në këto fshatra u bënë target i ushtrisë paramilitare serbe.
Por, para kësaj, kishte ndodhur një vrasjë ne fshatin Mejë. Një officer i lartë i MUP’it, Milutin Prasceviq u vra në këtë fshat me tre pjesëtarë tjerë të MUP’it serb, gjë që shtyri të ideohej edhe i gjithë operacioni ‘Reka’.
NJËSITET MË FAMKEQE SERBE MORËN PJESË NË MASAKRËN E MEJËS
Tigrat e Arkanit
Të ashtuquajturit Tigrat e Arkanit të kryesuar nga Zeljko Raznatoviq Arkan, ishin aktiv dhe vullnetarë në Mejë mes datës 27 dhe 28 prill 1999. Këtë e kishte dëshmuar edhe Nikë Peraj, oficer i Ushtrisë Jugosllave.
Në dëshminë e tij para Gjykatës, zëvendës shefi i Shërbimit të sigurimit në kuadër të Ushtrisë Jugosllave, Aleksandar Vasiljeviq, kishte thënë se 30 anëtarë të ‘Tigrave’ të Arkanit ishin prezent në Mejë.
Tigrat e Arkanit kishin ardhur nga Mali i Zi. Anëtarët e grupit famkeq, ishin sjellur nga Mali i Zi në Kosovë dhe baza e tyre ishte në Mitrovicë për një kohë, pastaj në Hotel Grand në Prishtinë si dhe në Hotel Pashtrik në Gjakovë.
Anëtarët e këtij grupi ishin të veshur me uniforma të kamufluara me ngjyrë të gjelbër që kryesohej me helmeta tigrash në kokë. Armatimi i tyre ishte: granata dhe thika.
Shqiponjat e Bardha
Edhe ky njësit famkeq i ushtrisë serbe mori pjesë në operacionin ‘Reka’. Këtë e kishte dëshmuar para Gjykatës, Nikë Peraj. Ata ishin në operacion bashkë me forcat e MUP’it. Ata ishin të veshur me uniforma të zeza. Në kokë mbanin kapela në formë shqiponjash dhe ishin të rekrutuar nga vullnetarë të Partisë Radikale Serbe.
Brigada nga Republika Srpska
Dëshmia e Nikë Peraj, oficer i ushtrisë serbe, thotë se një numër prej 1 mijë personave kishin arritur në marsin e hershëm të vitit 1999 në Kosovë. Komandant i tyre ishte Kolonel Lejtnant Vukoviq (emri sipas dosjes nuk dihet). Brigada kishte tanke dhe sistemin e mbrotjes raketore. Ishte stacionuar në Gjakovë.
NJERIU KRYESOR PËR ORGANIZIMIN E OPERACIONIT
Momir Stojanoviq ishte një nga udhëheqësit kryesor të operacionit. Ishte kreu i Departamentit të Sigurisë në kuadër të ushtrisë. Ai ishte përgjegjës për organizimin teknik të operacioneve.
Momir Stojanoviq u lind në Gjakovë. Gjatë luftës në Kosovë, kishte postin e Kreut të Departamentit për Siguri. Edhe pas luftës në Kosovë, I bë kreu i Departamentit të Operacioneve në ushtrinë serbe.
Gjatë vitit 2003 – 2004, shërbeu si udhëheqës i Shërbimit Administrativ për Siguri Ushtarake dhe si kreu i Agjencisë për Siguri Ushtarake.
Stojanoviq u atkivizua në politikë në vitin 2007. Iu bashkua Partisë Radikale Serbe. Më 2008 iu bashkua Partisë Progresive Serbe ku shërbeu si deputet deri në vitin 2012.
Në prill të vitit 2015, INTERPOL lëshoi një urdher kundër Stojanoviqit dhe 16 personave tjerë për operacionin Reka. Në një gazetë për mediat serbe, duke komentuar këtë urdhër të INTERPOL’it, prokurori për krime të luftës, Vladimir Vukceviq, kishte deklaruar se Gjykata ‘kishte shikuar disa dokumente që mund ta involovonin Stojanoviqin’ në masakrën e Mejës, por nuk kishin ‘gjetur diçka që ndërlidhej me këtë’.
(Foto: Momir Stojanoviq)
SI URDHËROI MILLOSHEVIQI: ZHDUKNI PROVAT E KRIMIT NË KOSOVË, TRUPAT SJELLNI NË SERBI
Në një datë të panjohur sakt, por që ka qenë në mars të vitit 1999, Sllobodan Millosheviq ishte takuar me ministrin e brendshëm të asaj kohe Vlajko Stojiljković, Vlastimir Gjorgjeviq dhe shumë pjesëtarë të MUP’it serb.
Millosheviq kishte dhënë urdhër që ‘të merreshn të gjitha masat në mënyrë që të zhdukeshin të gjitha provat ku ndodhnin krimet’. Vlajko Stojiljkoviq pas këtij takimi me Millosheviqin, kishte përcjellur urdhërin e tij tek të gjitha strukturat e MUP’it dhe ato ushtarake serbe. Sipas dosjes ‘Operacioni Reka’, ai kishte urdhëruar të gjitha dikasteret e ushtrisë, që të pastronin terrenein në Kosovë, çdokund ku do të dyshohej potencialisht se ishin kryer krime.
Vlastimir Gjorgjeviq – njeriu përgjegjës për zhdukjen e provave në Kosovë
Të gjithë ata që kanë marrë pjesë në transportimin e trupave të viktimave në Kosovë dhe zhvendosjen e tyre nga varret masive, kanë qenë të koordinuar dhe nën urdhërat e Vlastimir Gjorgjeviq. Ata kishin të veçanta edhe mjetet e transportit të viktimave si dhe të gjitha çështjet tjera teknike./Dafina Demaku/Periskopi/ DOSJA E PLOTË