Rrëfimi për luftëtarin idealist në kohën e marrëzive
Albin Mehmeti
(Recension për librin “Lavdi marrëzive” i Imer Topanicës)
Romani “Lavdi marrëzive” është vepra e katërt e Imer Topanicës, pas një romani dhe dy përmbledhjeve me poezi. Ky roman, i shkruar në dy linja të rrëfimit paraqet dy fate të njerëzve, të cilët i ndërlidh fati i njëjtë, pësimi për shkak të parimeve. Ashtu si narratorja, ashtu edhe kryepersonazhi i romanit brenda romanit do të jenë viktima të neglizhencës shoqërore e shtetërore.
Kjo vepër është rrëfimi për Ukën, ushtarin e lirisë që petkun e luftëtarit s’e ka vetëm një uniformë ushtarake, por e ka shumë më shumë, e ka ideal. Uka apo Komandant Tigri është personazhi më fatkeq i veprës, fatkeqësi që s’i erdhi nga determinimi hyjnor, por si determinim i kohës në të cilën ai jetoi. Uka ta kujton Dyl Mehmetin e Shkrelit, të cilin nuk e vrau plumbi i pushkës, por e vrau koha. Uka me idealizmin e tij ishte i tepërt për shoqërinë e tëhuajësuar që Zot, atdhe e ideal e kishin bërë paranë e pozitën. Komandant Tigri më nuk ishte as komandant i ushtarëve të tij, të cilët morën udhën e theqafjes drejt pasurimit në emër të idealeve, për të cilat dhanë pak e trumbetuan shumë. Uka fiksional është shembëllimi i ushtarëve të vërtetë të lirisë, të cilët luftojnë robërinë edhe atëherë kur vendi është i lirë (ose duket të jetë i lirë). Ai, në asnjë çast nuk pranoi robërinë shpirtërore, e cila ishte më e rëndë se robëria fizike. Ai nuk nënshtrohet nga egoja pasi është ithtar i një të Vërtete, e cila ia përsosi shpirtin. Topanica, përmes fatit të Ukës paraqet fatin e ushtarëve të vërtetë të lirisë që s’pranuan t’ia falin shpirtin djallit. “Lavdi marrëzive” është rrëfimi për bashkëluftëtarët e Tigrit që fituan luftën, por e humbën paqen. Personazhet fiksionale të romanit janë pasqyra e sivëllezërve të tyre në jetën reale të Kosovës, të cilët i ndeshim kurdo e kudo.
Topanica rrëfen me dhimbje për ushtarin e harruar, në zgripin e ekzistencës, i cili i gëzohet burgut vetëm pse aty ka ushqim për ta mbajtur shpirtin. “Lavdi marrëzive” është rrëfimi për fatin e Kosovës alias Dardanisë që këmisha vazhdon t’i qepet në zyrat e qendrave të mëdha të botës. Ky roman është rrëfimi për Kosovën e luftës e të pasluftës ku heroi bëhet tradhtar e tradhtari bëhet hero. Është rrëfimi për kohën ku në treg blihet diploma e në universitet përqeshet dija.
“Lavdi marrëzive” është vepër që para se të lexohet, përjetohet. Ky roman është sulmi mbi të keqen që ka pllakosur shoqërinë kosovare, e keqe që perëndimin e ka shumë larg, pasi që djalli (që në këtë roman portretizohet me Wolandin e shokët e tij) kaherë ka vendosur gur në themelet e kësaj shoqërie.