Rrëfimi për jetën
Bujar Tafa për “Shtatë Udhë”, udhët e Rrahman Paçarizit
Autori i disa përmbledhjeve me poezi, pastaj i disa librave studimorë nga fusha e gazetarisë dhe nga fusha e psikolinguistikës, Rrahman Paçarizi, kësaj radhe u paraqit para lexuesve me librin e tij në prozë “Shtatë Udhë”. Nuk do të thosha të parin në prozë sepse Paçarizi veçse është marrë dhe ka botuar edhe me herët tregime.
Numri emblematik Shtatë, krahas domethënies që bartë (për shatë ditë u krijua bota etj.), lidhet me situatat që autori i vlerëson si më esencialet për qenësinë e tij, d.m.th., për përjetimet e tij për: fëmijërinë, dashurinë, luftën, lirinë, pushtetin, çmendjen dhe vdekjen.
Pa u ndalur shumë në definime teorike e formale të natyrës së këtij libri se a janë tregime të gjata, a janë novela apo është thjesht roman (e të cilat unë po i quaj rrëfime të shkruara), unë vërej se për shkrimtarin Paçarizi thelbësore është ta shprehë atë që ai ka për qëllim, e që është shumë normale, sepse natyra e veprave të tilla në një mënyrë i vështirëson kufizimet formale e teorike. Të kuptohemi, Paçarizi mjeshtërisht dëshmon se nuk është rob e as fanatik i formës.
Sido që të jetë, posa fillon ta lexosh këtë libër duket se autori Paçarizi merr pjesë të ndryshme të përjetimeve nga secili prej nesh. Secili nga ne, në ato rrëfime gjen momente të ngjashme nga fëmijëria e vet, së pari. Kjo fakturë mendoj se e determinon fuqishëm natyrën artistike të këtyre rrëfimeve. D.m.th, aftësia e veprës që të zgjon emocion gjatë leximit, në një mënyrë i rrit premisat e një vepre artistike letrare. Duhet thënë, se Paçarizi i ka të regjistruara me përpikëri të habitshme momentet, që detyrimisht na bëjnë për vete, na bëjnë bashkëpjesëmarrës e përjetues të atyre momenteve, thuajse, magjike. Kjo është fuqia e shkrimit.
Është thënë me të drejtë, në mënyra të ndryshme, se fantazia më e pasur është vetë realiteti. Autori në këto raste, në mënyrën se si i rrëfen ato kujtime, se si i rrëfen ato ngjarje, atë botë na e bënë me të vërtetë fantastike.
Me rrëfimet e tij, Paçarizi këndshëm dhe mrekullueshëm të fton t’i përjetosh ato momente të cilat, si të thuash, kanë qenë skema në ambientet e Kosovës.
Paçarizi kur rrëfen fëmijërinë të kujton, herë-herë, Kadarenë, ndërsa kur e rrëfen atmosferën shoqërore e zyrtare dhe konturat e organizimit dhe të sjelljes njerëzore, ta përkujton edhe Kafkën, sidomos te rrëfimi “Pushteti im”, kur burokracitë dhe sistemi e ndrydh dhe e torturon njeriun. Gjithashtu, duhet theksuar se autori, herë-herë, kur portretizon personazhe e kur përshkuan situata, sidomos kur bën, si të thuash, zhbirime psikologjike të personazheve të ndryshme, apo kur bën edhe përshkrime të sferave të caktuara të ndjesive, e niveleve të dijes, rrëfimet e Paçarizit ngjasojnë me shkrime Frojdiane psikoanalitike. Kjo është kështu, ndoshta edhe për arsyen e formimit profesional të autorit si studiues i psikolinguistikës. Kuptohet te Paçarizi këto pjesë gjithsesi që e kanë vulën apo bazën e atij refleksionit estetik, artit konkretisht, dhe kjo e bënë edhe më të këndshëm leximin. Pra, dijen e tij shkencore, Paçarizi ia nënshtron, mrekullisht, refleksioneve artistike.
Tendencën për përshkrim të imtësishëm, Paçarizi, herë-herë, ia faturon të tjerëve d.m.th personazheve të ndryshme të rrëfimeve. Do të thotë, në raste të ndryshme, përshkrimet e tilla dalin nga personazhet e rrëfimeve. Rrëfimi “Pushteti im”, përfundon me një rrëfim prekës, që shënon edhe kthimin në veten e tij.
Te rrëfimi “Lufta ime”, autori i rrëfen tmerret e luftës së fundit në Kosovë, rrëfime të cilat më së miri i kupton ai, i cili vetë i ka përjetuar. Autori i ka përjetuar ato situata e ato ndodhi dhe në disa raste ai me përpikëri i përshkruan ato momente, të cilat edhe tash kur i lexon të ngjallin tmerr.
Rrëfimet e Paçarizit, sidomos ato të fëmijërisë, e mbajnë fuqishëm vulën e ambienteve autentike shqiptare, konkretisht kosovare, dhe kjo duhet çmuar. Autori nuk e sheh të nevojshme t’i ndryshojë e t’i “stilizojë” ato ambiente e ato situata, dhe, bënë mirë që nuk i prekë “stilistikisht” ato kujtime e ato përjetime. Në saje të këtij konceptimi, s’do mend se është shumë e kuptueshme, që te ne lexuesit, ato situata na ngjallin një emocion të papërshkrueshëm e të fuqishëm. Me pak fjalë, ato janë përshkrime fantastike të idilave shqiptare, kosovare, të gjeneratës së Paçarizit.
Rrëfimet e bukura, të shkruara bukur, ndër të tjerash, bëhen nga shkrimtarët që kanë kujtesë të fortë. Paçarizi e ka këtë zotësi, ka kujtesë të fortë. Këtë më së miri e dëshmon ky libër. Për më shumë, ky libër të bën të besosh se Paçarizi ka kujtesë për të rrëfyer e për të shkruar edhe në të ardhmen për shumë gjëra që e përcjellin dhe që e rrethojnë në jetë. Janë ato kujtimet e një fëmije që bartin edhe një filozofi interesante të popullit, të cilat Paçarizi sa e sa herë i trajton në mënyrën e vet.
Paçarizi kur rrëfen të lë përshtypjen sikur merr shumë nga fëmijëria jonë dhe nga përjetimet e ne lexuesve. Secili nga ne të gjeneratës së Rrahman Paçarizit kemi përshtypjen se jemi, në një mënyrë apo tjetër, protagonist në ato rrëfime, shumë herë bashkë ndiejmë. Jemi diku aty, bashkë, duke lozur e duke vrapuar në ato kopshtet e livadhet për të cilat rrëfen autori. Na duket sikur Paçarizi në ketë rast na bën bashkë. Kemi kujtime të bukura, por, kuptohet, nganjëherë kemi edhe kujtime të trishta nga ajo botë, që tash na duket shumë e bukur, por njëkohësisht edhe shumë e largët dhe e paarritshme. Ne e gjejmë veten në ato rrëfime. Rrëfimet e Paçarizit shumë herë janë edhe “rrëfime tonat” dhe për këtë arsye na emocionojnë.
Përgjithësisht, nga rrëfimet e Paçarizit, vërejmë se janë dy botë, dy përjetime shumë të ndryshme nga njëra tjetra. Një rrëfim për fëmijërinë e hareshme, atëherë kur bota ishte më e ngrohtë e më e mirë, në kuptimin e asaj që më shumë kishte lojë e kënaqësi e më pak kishte brenga. Brengat edhe kur ishin të pranishme ato ishin të natyrës së fëmijës, d.m.th brenga të përballueshme, dhe në anën tjetër, kemi rrëfimin për tmerret e luftës, për vdekjen etj. Do të thotë, këto dy rrëfime janë; një rrëfim për Parajsën dhe një rrëfim për Ferrin.
Te rrëfimi “Liria ime”, rrëfimi i Paçarizit ‘komplikohet’ paksa. Kuptohet autori qëllimisht krijon situata paksa komplekse. Ai këtë e bënë duke i trajtuar disa nga momentet sa reale e sa imagjinare të njeriut të pas luftës. Si poet që është Paçarizi rrëfimin e tij herë-herë e fragmenton, por megjithatë lexuesi e ka të qartë bazën e ndodhive që rrëfehen nga autori. Keqpërdorimet e luftës, pasluftës, pastaj tentimet për t’i fshehur gjurmët e ndyra të disa personazheve të rrëfimit na japin tablo shumë reale të Kosovës së pasluftës. Autori në këtë rast prek tema që janë edhe të ndjeshme edhe komplekse, por që si synim e kanë të vërtetën.
Përgjithësisht, te rrëfimet e Paçarizit, ka edhe tregim, por ka edhe poezi ka edhe dramë. Ka art që të merr me vete dhe të çon horizonteve të papara e të pa pë jetuara ndonjëherë. Kjo më së miri vërehet te rrëfimi i fundit “Vdekja ime”, Paçarizi, si të thuash, në këtë rrëfim shpërthen në kuptimin emocional.
Te rrëfimi “Vdekja ime”, Rrahman Paçarizi nuk është veç rrëfimtar, ai është edhe poet, madje poet që shumë fuqishëm dhe shumë prekshëm rrëfen vdekjen e nënës. Them se për nga fuqia shprehëse e për nga ndjenjat e thella të humbjes që ndien autori, ky rrëfim merr përmasat e një rrëfimi antologjik e emblematik në kuptim të veçantisë së përjetimit dhe origjinalitetit të shprehjes së këtij rrëfimi.
Ky rrëfim është skajshmërisht i fuqishëm. Është i tillë sepse ndjenja është e tillë, është e thellë. Vdekja e nënës, natyrshëm përjetohet thellë, dhe krahas përjetimit autori fuqishëm dhe besnikërisht e shpreh atë dhimbje, nga e cila dhimbje të gjithë ne lexuesit marrim pjesën tonë. Pra, në një mënyrë në njëjtësohemi, bëhemi një me autorin.
Ky bashkë dyzim ndjenjash, këto rrëfime i bënë art. Për më shumë, art të mirëfilltë.
Bujar Tafa