Rrëfimi i mjekut kosovar që u sulmua fizikisht në vendin e punës
Shefi i emergjencës në Spitalin Rajonal në Ferizaj, Sefedin Fazliu, të mërkurën shkoi në punë si çdoherë. Por, ai ndryshe prej kujdestarive tjera ku kishte punë vetëm me pacientë, atë ditë u ballafaqua me diçka krejt tjetër. Mjeku deri sa ishte duke u dhënë ndihmën pacientëve, u sulmua fizikisht nga dy persona.
Sulmi fizik ndaj mjekut kishte ndodhur në mesnatën ndërmjet të mërkurës dhe të enjtes, deri sa ai mes tjerëve ishte duke i dhënë ndihmën edhe një të lënduari nga një aksident trafiku.
Në fakt Fazliu është sulmuar nga djemtë e të lënduarit.
I kontaktuar nga Agjencia e Lajmeve FaktePlus, mjeku Sefedin Fazliu, ka bërë të ditur gjithë ngjarjen se si është sulmuar gjatë kohës sa kryente punën e tij.
Ai thotë se djemtë e të lënduarit nuk kishin pritur që t’ua sqaroj gjendjen shëndetësore të të atit, por që menjëherë është sulmuar nga ta.
“Kam qenë kujdestar dhe duke e trajtuar një pacient me gjakderdhje nga hunda me tension arterial mbi 220, po ashtu duke i trajtuar edhe disa te aksidentuar për një moment deshëm që këtij me gjakderdhje nga hunda me ja vendos një tampon në hunde, duke e shtrirë me një shtrat tjetër kollaboj për një çast të shkurt edhe djemtë e ti pa prit për sqarim më lënduan fizikisht”, tha Fazliu për FaktePlus.
Por ky sulm nuk e bëri që mjeku të dorëzohet.
Fazliu tha se edhe përkundër kësaj ai ka vazhduar që ta stabilizoj gjendjen shëndetësore të pacientit dhe se më pastaj me rastin është marrë policia.
“Unë prapë nuk u dorëzova shkova e stabilizova pacientin pastaj me ta është marrë policia”, tregon mjeku për FaktePlus.
Ndërkohë Policia e Kosovës në Ferizaj ka arrestuar dje dy sulmuesit, të cilët janë të fshatit Rahovicë (I.O. dhe N.O).
Prangosja e tyre erdhi pasi gjatë ditës së djeshme Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se me urdhër të prokurorit të shtetit, është kërkuar arrestimi i personave në fjalë dhe ndalimi i tyre në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë sulmuar personin zyrtar- mjekun S.F., në vendin e tij të punës.
Ndaj këtij sulmi nuk heshti as Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK).
ShSKUK, ka reaguar menjëherë pas sulmit të mjekut, duke thënë se aktet e tilla të ushtrimit të dhunës ndaj mjekëve në detyrë në institucionet publike, janë të pa pranueshme dhe të dëmshme, e të cilat e dëmtojnë rëndë imazhin dhe dinjitetin e mjekut, por e dëmtojnë edhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore për gjithë qytetarët e Kosovës.
SHSKUK ka kërkuar nga organet e drejtësisë të merren me rastin me në fjalë dhe sulmuesin e mjekut ta nxjerrin si përgjegjës./FaktePlus