Rrëfimi i ish- ushtarit të UÇK-së, që e pa vdekjen me sy
Represioni dhe dhuna serbe mbi shqiptarët e Kosovës, e kishin shtyrë Arben Bobanin nga Gjakova që t’i bashkohej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), sakrificë kjo që u kthye në një dramë jetësore për djaloshin 20 vjeçar aso kohe.
Ushtari i ri, i cili kishte energji dhe vullnet të madh në vijën e frontit, plagoset rëndë në nofull edhe krah, në betejën e fshatit Prejlep, gjë e cila padyshim e kishte stopuar aktivitetin e tij luftarak. Por, rrjedha e jetës së tij do të merrte kahje krejt tjetër në momentin kur në fshatin Isniq, i braktisur nga ata që deri atëherë kujdeseshin për të plagosurit, Arbeni së bashku me shtatë të plagosur tjerë, u zënë robër nga forcat serbe.
Copëzat e dhimbjes nga ajo që ka kaluar, duke e parë disa herë vdekjen në sy, me shume detaje tjera, ai i ka shpalosur në një intervistë për Telegrafin.
“Pas kapjes prej tyre e patëm një fat në fatkeqësi, kur erdhi Kryqi i Kuq pas tre minutave, sepse unë i kuptova se serbët donin të na ekzekutonin. Kemi qenë shtatë persona. Me na ka qenë Yll Morina, Hero i Kombit, ka qenë Gjokë Ndreca, i cili pastaj u vra në Dubravë, ka qenë Valon Gexha, Arbër Spahija, do të thotë ne katër prej Gjakovës. Unë përfundova në Spitalin e Prishtinës me Arbër Spahinë, Arbër Gexhen, Naim Cufën dhe Yll Morinën. Ylli ishte në gjendje të keqe, sepse ishte i plagosur në pjesën e poshtme të trupit, prej barkut e krejt pjesën e poshtme, ku ai kish nevojë për trajtim ma të madh mjekësor se ne të tjerët. Mua përveç infeksioneve, unë isha i fortë, këmbët i kisha të forta, Ylli kish nevojë për ta bartur, e gjatë kohës që e bartnin serbët e kanë malltretuar. Në Prishtinë, në një gjysmë trajtimi mjekësor kemi kaluar një torturë psiqike të jashtëzakonshme, ka edhe shumë dëshmitarë që i kanë kaluar këto momente. Aq shumë na kanë maltretuar sa që nuk mundem ta shpjegoj”, ka theksuar Bobani.
Ai ka treguar së gjatë kohës që po qëndronin në Prishtinë, Kryqi Kuq aso kohe kishte arritur që disa nga ata që ishin zënë robër nga serbët të liroheshin, derisa ai ishte i vetmi që kishte qëndruar në burg, ku në anën tjetër bashkëluftëtari Yll Morina dhe Gjokë Ndreca kishin ndërruar jetë.
“Unë nuk qëllova aty, në atë repart, kur Kryqi i Kuq ka arritur një marrëveshje me serbët për t’i transferuar disa prej të burgosurve. Kështu përfundova në SUP-in aso kohe të Gjakovës. Mos të flas për aty, nuk kam koment si i kam kaluar katër netë. Prej aty fillova burgun i rregullt në Pejë. Ka qenë 15 tetori i vitit 1998. Në Pejë kam qëndruar deri në Mars të vitit 1999, pak para bombardimeve. Në vetmi kom qenë për një kohë të gjatë”, ka thënë Bobani.
Duke vazhduar rrëfimin e tij, ai ka theksuar se në mars të vitit 1999 ka përfunduar në burgun e Dubravës, pikërisht në ditët kur filluan bombardimet, ku sipas tij, ato ishin ditët e tmerrshme që i ka përjetuar.
“Ishim afër 900 të burgosur të vendosur aty. Bombardoi NATO përreth burgut, por e bombardoi edhe objektin ku ishim ne. Njihej si Paviloni C. Aty në fakt i plagosi edhe disa persona. Ato kanë qenë prej bombave të NATO-s. Ne ishim fqinj dhomës. U hap dera. Kanë qenë momente tmerruese, sepse i nxjerrnim prej gërmadhave disa të plagosur nga dhoma tjetër, aty ku kishte rënë bomba. Ka qenë aty, e kam njohur vetëm Gjergj Karaçin, sot është gjallë. Ka qenë i plagosur rëndë. Tjerët nuk i njoha. I thyem dyert ashtu si mundëm, na ndihmuan edhe prej paviloneve tjera, dolëm prej atij objekti. Qëndruam në oborr afër 9,00 persona, të burgosurit serbë u larguan, u veshën, u uniformuan, sepse ne i njihnim të burgosurit serbë, sepse ata e shpërndanin bukën. I njihnim në bazë të tatuazheve. NATO bombardonte përreth për shkak se në rreth të burgut ishte baza ushtarake. Por, pas pak filluan bombardimet edhe në brendi. Nga Paviloni C deri të kuzhina – pjesa e poshtme – nga bombardimet e NATO-s, kanë vdekur rreth 15 persona, derisa janë plagosur disa të tjerë”, ka thënë Bobani.
Arben Bobani – ish – luftëtarë i UÇK-së dhe ish i burgosur politikë, protagonistë i masakrës në Burgun e Dubravës
Sipas tij, në kundërpërgjigje për sulmet e NATO-s, serbët e shfrytëzuan rastin, sipas tij, rrethuan muret dhe filluan që të shtien tek të burgosurit, duke filluar prej gardianëve, të burgosurit, etj.
“Nuk e di kush ka qenë i armatosur, çfarë njësie ka qenë jashtë nuk e di, vetëm filluan të gjuajnë. Fillimisht na bënë në radhë, për të na numëruar. Aty arritën me vra një pjesë të madhe të të burgosurve. I vranin të burgosurit ku i gjenin, sepse ishim të shpërndarë. Nuk i zinte të gjithë të burgosurit në një vend. Dikush kërkonte zgjidhje, derisa filluan të fshihen edhe nëpër puseta. Gjuanin bomba në puseta, në kuzhinë, kudo. Filluam t’i ndihmojmë të plagosurve, ku plagë kishin pësuar mbi 100 persona. Isha plagosur edhe unë në dorë, por isha plagosur më herët me një plagosje shumë ma të tmerrshme, e këtë as që e llogarisja. Mu vranë në afërsi dy persona të njohur, kështu që nuk u mora me plagët që i kisha. Filluam aq sa mundëm të ju ndihmojmë disa të plagosurve. Kanë qenë aty rreth 900 persona, ka dëshmitarë shumë, ka emra që sot merren edhe me polItikë”, ka shtuar Bobani.
Më tutje ai ka treguar se serbët në një moment të shoqëruar nga gazetarët grekë, i kishin detyruar sipas tij, që t’i numërojnë viktimat.
“I tubuam në grupe. Na detyruan që t’i numërojmë. Na thanë nëse ju pyet ndonjë gazetar, thuani NATO i ka vrarë. Qysh NATO me plumb në kokë, e me bomba dore. Por, nuk na u dha rasti të japim deklarata të tilla. Kishte momente kur kisha dëshirë me qenë në vend të të vdekurve. Ka qenë shumë e tmerrshme. Fatmirësisht kanë kaluar 20 vjet, e po na ndihmon Zoti me harru, por ishin momente shumë të vështira. Me i pa trutë jashtë, këmbën një vend tjetër, kokën në një vend tjetër. I plagosur ndahej nga jeta, nuk mund t’i ndihmoja, sepse nuk kishe gjak, thjeshtë nuk kishim asgjë për t’i ndihmuar”, rrëfen Bobani.
Përjetimet e dhimbjes së djaloshit nga Gjakova në ato vite, pas Burgut të Dubravës po i shtohej edhe vuajtja e dënimit që ia kishin shqiptuar serbët në kazametet e Serbisë.
Ai ka treguar se pas Dubravës ka kaluar pjesën tjetër në burgun e Pozharevcit, Leskovcit, dhe Vrasnjes.
Në Leskovc ka thënë se ishte rrahur brutalisht dhe ishte burg me kushte tepër të rënda, derisa në Pozharevc, ai me shumë të burgosur tjerë shqiptarë ishin rrezikuar të ngulfateshin për arsye se burgut i ishte vënë flaka.
Lirimi i tij dhe kthimi në vendlindje ishte për të një ëndërr e cila u thye kur e kuptoj sipas tij, se një grup bahskëluftëtarësh po e keqpërdornin idealin e luftës për të grumbulluar pasuri. Bobani i quan matrapaz ata që e keqpërdorën luftën dhe që sipas tij, në vend që të kemi shtetndërtim, u krijua një sistem i cili po shtyen qytetarët të largohen prej vendit.
Ish – luftëtari i UÇK-së porositë ata që janë në drejtim të shtetit që thejshtë të “mos vjedhin dhe ta ndërtojnë një shtet funskional”./FaktePlus