Rrëfimi i gruas nga Gjakova të cilës serbët ia vranë dy djemtë 12 e 10 vjeç
Hyrja e parlamentit të Kosovës është e shënjuar me 1133 lule, që simbolizojnë 1133 fëmijë të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës.
1133 fëmijë, që sot do të ishin burra e gra, u këputën nga të gjitha llojet e armëve, deri tek mitralozët e autoblindave. Dhimbja e prindërve të tyre, nënave dhe baballarëve, të rrëqeth, edhe sot e kësaj dite.
Në Prishtinë ishte hapur vitin e kaluar një ekspozitë me kujtimet e tyre, e titulluar “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë”, e organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.
Ishte aty edhe batanija me të cilën, Mejreme Kelmendi, nga fshati Rakovinë i Gjakovës, kishte mbuluar dy fëmijët e saj, Besimin, 12 vjeç, në klasën e gjashtë, dhe Haxhiun, 10 vjeç, në klasën e katërt, të cilët, u vranë bashkë me babain e tyre, Shabanin, të qëlluar nga mitralozi i një autoblinde të forcave serbe.
Ecim drejt kufirit për të shkuar në rrugën që të çon në Prizren dhe kthesën që të thërret drejt Gjakovës, aty ku jeton në një banesë sociale, në kushte shumë të vështira Mejremja me njërin nga djemtë, nusen e tij, nipin dhe mbesën 3-muajshe.
Shaban Kelmendi së bashku me dy djemtë e tij te vegjël po ktheheshin nga fshati Kralan i Gjakovës, ku kishin marrë ushqim për bagetitë.
Autoblinda në post-bllokun famëkeq të Kramovikut, i godet. Ishte data 25 janar. Sytë e pamëshirshëm që mbjellin vdekje, shënjojnë traktorin, dhe qëllojmë me armë të rënda. Nuk di pse më kujton titullin e një libri të Rexhep Qoses, “Vdekja më vjen prej syve të tillë.”….Ata sy bëjnë shoshë me plumba Shaban Kelmendin me të dy fëmijët dhe dy persona të tjerë që ishin në atë traktor.
Në ekspozitën e Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, fëmijët janë aty, të gjithë bashkë si kurrë në jetë.
Emrat, mbiemrat, fotografitë, sendet personale, rrëfimet, pamje të vendeve ku kanë ndodhur krimet. Një mur I madh tregon emrat, mbiemrat, datat e lindjes dhe vdekjes të të 1133 fëmijëve. Një mur tjetër tregon 320 fotografi të fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës.
Por jeta ka vazhduar, është ripërtërirë me dy djemtë e mbetur. Ata janë martuar dhe kanë tashmë të vegjlit e tyre. Mejremja iu gëzohet fëmijëve të djalit me të cilin jeton, edhe pse dhembja për Besimin dhe Haxhiun, kja mbetur e gozhduar aty, në mur, në fotografitë e tyre. Nusja e djalit e ka përjetuar luftën në Pejë. Babai i saj ka qenë ushtar në UÇK.
Por Mejremja nuk ishte vetëm në vuajtjen e saj pa ngushëllim. Detyrohen nga forcat serbe të shkojnë drejt kufirit me Shqipërinë.
Kalojnë kufirin dhe arrijnë në shkollën e Krumës. Qëndrojnë dy ditë e dy net aty derisa daja Njazi, siç e thërret ajo, shkon dhe I merr për t’i sjellë në Kamëz. Mejremja me dy djemtë e mbetur dhe shumë të tjerë, plot 32 vetë, strehohen në shtëpinë e Njaziut, që ngre një tendë të madhe në oborr, për t’u bërë vend të gjithëve.
Mejremja përfaqësonte për ta atë lloj vuajtje që nuk e tret as dheu.
Miqësia midis dy familjeve ka vazhduar dhe vazhdon, për gëzim e për vaj, për të mirë e për të keq. Vëlla e motër, pavarësisht kufijve në mes.
Ka kaq shumë vuajtje, pikëllim, trishtim të pafund, por edhe kaq shumë mirësi, ndjenja njerëzore, sakrificë dhe vetëmohim për të ndihmuar njëri-tjetrin, pavarësisht nga kufijtë që na kanë ndarë dhe armiqtë që na kanë pushtuar e djegur. Jeta ka rilindur tek fëmijët e fëmijëve, të bukur, të shëndetshëm, si drita e mëngjesit në fund të tunelit të dhembjes. Ata janë shpresa dhe gëzimi që sjell të ardhmen përtej të kaluarës së hidhur!