Rrahje mes vëllezërve dhe kushërinjve në një familje kosovare, përfshihen edhe gratë
Një rrahje mes anëtarëve të një familje, e ku janë përfshirë vëllezër e kushërinj, si dhe gratë e tyre ka ndodhur mbrëmë në një fshat të Komunës së Istogut, raporton FaktePlus.
Policia e Kosovës ka njoftuar se është dashur intervenimi i njësive policore për të ndaluar këtë sherr në fshatin Zhakovë, ku për pasojë ka pasur lëndime të rënda trupore, ndërsa pas kontrolleve policore janë gjetur edhe armë zjarri.
Më saktësisht sherri thuhet se ka nisur dje rreth orës 19:20, në fshatin Zhakovë të Komunës së Istogut, pas një mosmarrëveshje rreth një prone publike që e kishin palët mes veti, me ç’rast shtatë (7) persona të dyshuar janë përfshirë në një rrahje masive në mes veti.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, personat e dyshuar (të gjinisë mashkullore E. I, U. I, E. I, L. I, I. I, V. I dhe XH. I), si dhe tri (3) viktima (të gjinisë femërore A. I, SH. I, dhe L. I) dhe një dëshmitar (i gjinisë mashkullore B. I) janë anëtarë të dy familjeve të afërm me njëri tjetrin (vëllezër dhe kushërinj).
E gjatë rrahjes thuhet se janë përdorur mjete të forta ku të gjithë personat e dyshuar dhe viktimat kanë pësuar lëndime trupore.
“Të dyshuarit dhe viktimat kanë marrë trajtim mjekësorë në QMF në Istog si dhe në Spitalin Rajonal të Pejës e më pas janë intervistuar në Stacionin Policor në Istog, me urdhër të Prokurorit, gjashtë (6) persona të dyshuar janë ndaluar në mbajtje për 48 orë ndërsa njëri nga të dyshuarit është liruar procedurë të rregullt”, thuhet nga Policia.
Ndërlidhur me rastin bëhet e ditur se me urdhër të Prokurorit, njësitet policore kanë kryer një kontroll në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit, ku është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri automatike (AK-47) dhe një karikator i zbrazët (pa municion).
“Arma e konfiskuar nuk ishte përdorur në rastin e lartë cekur mirëpo i dyshuari e posedonte atë në mënyrë ilegale”.
Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti Lëndim i rëndë truporë është kompletuar dhe përmes kallëzimit penal i adresohet Prokurorisë në procedurë të shpejtë./FaktePlus