Rrahje, kanosje e therje brenda një nate në Prishtinë
Të mërkurën mbrëma në kryeqytet si pasojë e një konflikti u therën dy persona, pati kanosje e konflikte të tjera në rrugën B.
Shenjat e gjakut janë ende prezente në rrugë. Vetëm një natë më parë në rrugën “Arben Xheladini” në kryeqytet u therën dy persona.
Babë e bir përfunduan në Qendrën Emergjente në QKUK për të marrë trajtim për plagët që morën nga një mjet i mprehtë. Sipas mjekëve që dhanë ndihmën e parë të mërkurën mbrëma, F.A ishte sjellë në gjendjen të rëndë shëndetësore.
E si është gjendja e 17 vjeçarit, një ditë pas ngjarjes e tregoi urologu, Ardian Prenaj.
Prenaj shtoi se gjendja e pacientit është duke u përmirësuar mirëpo nuk dihet se kur i njëjti mund të lirohet për në shtëpi.
Në repartin ku po trajtohet 17 vjeçari ishin të pranishëm edhe Policia e Kosovës, mirëpo për shkak të rrethanave të ngjarjes, ekipit të T7 nuk iu lejua të marrë pamje.
E rrahje, konflikte e kanosje, pati edhe në një pjesë tjetër të kryeqytetit.
Të mërkurën mbrëma në Rrugën B e cila është njëra nga lagjet më të populluara të Prishtinës pati disa konflikte mes qytetarëve të cilat u raportuan tek Policia e Kosovës.
Ani pse nuk u përfshi në raport, në këtë pjesë të kryeqytetit ndodhi edhe një rrëmbim. Qytetarët telefonuan Policinë, kur panë një burrë duke tërhequr zvarrë një grua në rrugën Muharrem Fejza.
Televizioni provoi të marrë një qëndrim nga Policia e Kosovës në lidhje me masat parandaluese që do të merren për raste të tilla, mirëpo të njëjtit nuk ishin të qasshëm gjatë ditës.