Rrahja e fëmijës në çerdhe, flet ministrja Bajrami
Pasditen e së martës (mbrëmë), u publikua një video në të cilën shihej se si edukatorja e çerdhes “Cambridge Kids” që është më e shtrenjta në Prishtinë, duke e rrahur fëmijën 16 muajsh.
Pas lajmit të publikuar fillimisht nga vetë nëna fëmijës e pastaj edhe nga mediat, Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa dhe e ka arrestuar edukatoren në fjalë.
E Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, ka treguar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se tashmë ka kërkuar informata nga stafi për të parë se cilat janë hapat ligjor për të ndërmarrë ndaj këtij veprimi.
“Kur jam informuar kam qenë jashtë orarit të punës. Por, kam dërguar e-mail që stafi me marrë informacione rreth asaj. Kemi kërkuar dhe do të shohim se cilat janë hapat ligjor që do të marrim ne si Ministri”, tha ministrja Bajrami për FaktePlus.
Çerdhja ‘Cambridge Kids’ është më e shtrenjta për shërbimet e saj në Prishtinë. Pagesa e përkujdesjes për fëmijë në këtë kopsht kushton 250 euro në muaj.
Kjo çerdhe deri tani njihej për kushtet luksoze, dhe trajtimin e mirë të fëmijëve aty, por me rastin e edukatores Teuta Gashit, e cila rrah fëmijën 16 muajsh, bëri që qytetarët të shokohen.
Stafi i çerdhes “Cambridge Kids”, zgjodhi rrjetin social Facebook që të sqarohet ndaj këtij skandali e që nuk ishte i pari.
Në sqarimin skandaloz thuhet se e kanë përjashtuar nga puna punonjësen e tyre.
Pas lajmit të publikuar fillimisht nga vetë nëna fëmijës e pastaj edhe nga mediat, Policia e Kosovës ka arrestuar edukatoren në fjalë.
Policia ka konfirmuar se edukatorja Teuta Gashi është arrestuar dje pas raportimeve nëpër media.
“Më datën 10 shkurt 2020 në stacionin policor jugu në Prishtinë është iniciuar një rast ‘Keqtrajtim i fëmijës. Lidhur me këtë rast policia ka arrestuar personin e dyshuar, e cila me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë. Në koordinim me prokurorinë përkatëse janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore”, ka thënë zëdhënësja për media e policisë, Flora Ahmeti.
E në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK), ky kopsht privat figuron në pronësi të Gjyljeta Shalës, vajzës së ish- ministrit të Financave dhe të Ekonomisë, Ahmet Shalës.
Ahmet Shala kishte shërbyer edhe si Ambasador i Kosovës në Japoni.
Kujtojmë se FaktePlus muaj më parë ka raportuar se si viteve të fundit është shtuar numri i institucioneve parashkollore, respektivisht kopshteve dhe çerdheve në Kosovë.
Por, ky numër ende është i pamjaftueshëm për t’i përmbushur kërkesat e fëmijëve që kanë nevojë për qëndrim në këto institucione. E shqetësuese vazhdon të jetë ende edhe cilësia e kushtet që ofrojnë këto institucione.
Madje, zyrtarë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) patën treguar se jo të gjitha kopshtet private i kanë të gjitha kushtet ideale për funksionimin e tyre, kurse nuk patën dhënë detaje nëse ka pasur sanksione për ato çerdhe të cilat kanë funksionuar edhe pa licencë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në vitet paraprake, kanë qenë 42 institucione parashkollore publike në tërë vendin, e në këto institucione janë rreth 5,328 fëmijë.
Ndërsa, sa i përket çerdheve në sektorin privat janë gjithsej 102 osh në gjithë vendin, me 3779 fëmijë të moshës parashkollore.
Ndërkaq, sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, qyteti me më së shumti çerdhe private është Prishtina, e cila ka mbi 50 sosh./FaktePlus
MASHT e pranon se ka kopshte e çerdhe private që nuk i plotësojnë kushtet