Ronaldo-Messi, statistikat në Champions League
Ish-futbollisti i Real Madridit, Guti, kohët e fundit ka pranuar që, nëse duhet të zgjedhë midis Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, ai do të zgjidhte argjentinasin. Spanjolli vuri në dukje se “Messi ka më shumë talent, ndërsa Cristiano është më shumë golashënues, ka më tepër ambicie”.
Askund tjetër nuk është ilustruar më mirë kjo, se në fazat e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve. Ronaldo krenohet me etjen e madhe për gola. Ambicia e tij për të thyer çdo rekord imagjinar në Champions është qartësisht një nga motivet kryesore të karrierës.
Ky kompeticion është ai, që e ndan portugezin nga e gjithë pjesa tjetër, madje edhe nga Messi, kur është fjala për gjetjen e rrugës së rrjetës. Goli i fundit i 34-vjeçarit u shënua ndaj Ajax-it, për ta kaluar Juventusin në epërsinë 1-0 në Amsterdam.
Kjo ishte ndeshja e 125-të e tij në Ligën e Kampionëve. Më konkretisht, ishte goli i 64-t i CR7 në fazën me eliminim direkt të Champions-it, çka do të thotë se më shumë se gjysma e totalit të tyre ka ardhur në këtë pjesë të garës.
Me të vërtetë tronditës është fakti se, në sajë të golit kundër Ajax-it, ylli portugez ka tani 41 gola nga çerekfinalet e në vijim. Kjo shifër është vetëm një gol më pak se ajo e Messit në krejt fazën me eliminim direkt të këtij kompeticioni (42 gola).
Në të vërtetë, kapiteni i Barcelonës ka shënuar vetëm 16 gola në mes 1/8 finale dhe finales së Champions-it, çka e rendit atë të dytin në përgjithësi, përpara Raul, Pippo Inzaghi dhe Andriy Shevchenko.
Argjentinasi ka 10 gola shumë të respektuar në 21 ndeshje çerekfinale, por Ronaldo ka shënuar 24 herë, në më shumë ndeshje. Ronaldo ka luajtur edhe 21 ndeshje në gjysmëfinale, duke shënuar 13 gola, nëntë më shumë se Messi, i cili është i katërti në këtë raund, pas Robert Lewandowski, Jari Litmanen dhe Alessandro Del Piero.
Ronaldo, gjithashtu, kryeson listën e golave të shënuar në finale (4 gola në 6 finale), duke qenë vetëm një gol përpara ish-bashkëlojtarit te Real Madridi, Gareth Bale. Messi, nga ana e tij, ka shënuar 2 gola në finale, aq sa kapiteni aktual i “Los Blancos”, Sergio Ramos, në mesin e një morie lojtarësh të tjerë.
Pra, nëse Guti mund të ketë pasur të drejtë që e shpalli Messin lojtarin më të mirë, që ka parë ndonjëherë, kur është fjala për shënimin e golave në fazën me eliminim direkt të Ligës së Kampioneve, Ronaldo është i padiskutueshëm, nr.1. /FaktePlus