Roli konstruktiv i Behgjet Pacollit sot dhe për gjithë këto vite në politikë
Behgjet Pacolli prej vitesh ishte i njohur si njëri ndër shqiptarët më të pasur në botë. E që gati 14 vite ai është i njohur edhe si politikan. Prej se është pjesë e politikës e institucioneve, varësisht rolit të tij, në pozitë apo opozitë, Pacolli ka treguar se sillet me pozitivitet e në favor të vendit. Si pak politikanë, Pacolli edhe dje tregoi se nuk mban inate dhe sot bëri sipas protokollit dorëzimin e detyrës tek bartësit e ri të Qeverisë së Kosovës.
Prej 20 vitesh nga çlirimi i vendit dhe më shumë se 12 vite nga shpallja e pavarësisë, për çdo ditë, javë e muaj dhe kështu për 2 dekada rresht në skenën politike kosovare janë shfaqur intrigat, mandej shpifjet dhe deri tek nënçmimet e akuzat nga më të ndryshmet që kanë bërë politikanët për njëri-tjetrin.
Zakonisht gjithë këto janë bërë e po vazhdojnë të bëhen në kohë të fushatave zgjedhore dhe me rastin e ndërrimit të pushteteve, kur fitonte dhe kur fiton një parti e caktuar dhe humbte e humb një parti tjetër.
Por, është një rast (lider i një partie) që në një mënyrë ka bërë përjashtim nga kjo “normë” jo e hijshme. Madje, qysh në fillimet e tij politike, ai ka treguar se i ka hyrë politikës për të sjell ndryshim edhe se si bëhet ndërtimi i raporteve në skenën politike kosovare.
Ky është Behgjet Pacolli, i cili prej vitesh ishte i njohur si njëri ndër shqiptarët më të pasur në botë. E që gati 14 vite ai është i njohur edhe si politikan.
Kjo pasi, në vitin 2006, Pacolli u kyç edhe në skenën politike. Respektivisht më 17 mars të atij viti, Pacolli e themeloi partinë politike Aleanca Kosova e Re (AKR), e cila mori pjesë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2007 dhe prej atëherë është pjesë e institucioneve.
Konstruktiviteti shtetëror dhe politik i Behgjet Pacollit
Prej se është pjesë e politikës e institucioneve, varësisht rolit të tij, në pozitë apo opozitë, Behgjet Pacolli ka treguar se sillet me pozitivitet e në favor të vendit.
Madje, pavarësisht se ishte apo jo në qeverisje, Pacolli për një kohë të gjatë nuk i ka ndalur angazhimet e tij lobuese për njohjen e pavarësisë së vendit.
Ai gjatë gjithë këtyre viteve ka ruajtur raporte të mira me drejtuesit e subjekteve tjera politike edhe pse ka pasur raste që është kritikuar ashpër nga kundërshtarët politikë.
Në shumë raste, kur janë shfaqur intriga e shpifje dhe pasi janë shkëmbyer nënçmime e akuza nga më të ndryshmet, politikanët kanë mbajtur inate që me vite nuk i kanë kapërcyer dhe nuk po munden t’i kapërcejnë.
Por, si pak politikanë, është Pacolli, që edhe dje duke e votuar Qeverinë Kurti, tregoi se nuk mban inate dhe sot e kreu punën sipas protokollit, duke bërë dorëzimin e detyrës tek bartësit e ri të Qeverisë së Kosovës.
Pacolli dje deklaroi se ka vendosur të votojë Kurtin për shkak të konstruktivizmit shtetëror dhe interesit kombëtar.
“AKR vendosi të votojë qeverinë e Albin Kurtit falë konstruktivizmit dhe interesit kombëtar dhe shtetëror”, ka shkruar ai në rrjetin social.
Pacolli edhe në rastet e mëhershme e ka tejkaluar veten dhe nuk ka mbajtur inate kur ka qenë në pyetje stabiliteti institucional.
Ai gjatë periudhës shkurt dhe mars të vitit 2011 është zgjedhur president i Kosovës pasi kishte arritur koalicion me PDK-në, por që pas ngritjes së rastit në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të disa procedurave që ishin shkelur në Kuvend, është detyruar të lirojë postin e të parit të vendit.
As kjo nuk ka ndikuar që ai të prish raportet me partnerin e koalicionit dhe të merr veprime për rrëzimin e Qeverisë.
Kështu njëjtë AKR kishte vepruar edhe në vitin 2017, kur kërkonte nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës që të arrihet sa më shpejt një marrëveshje koalicioni. Por, pasi këto subjekte nuk u morën vesh, ARK e votoi qeverinë e koalicionit PAN me arsyetimin që vendi të mos mbetet i bllokuar.
Aleanca Kosova e Re (AKR) e drejtuar nga Behgjet Pacolli do të jetë edhe gjatë këtij mandati pjesë e institucioneve të vendit. Në fakt AKR nuk do të jetë kësaj radhe në ekzekutiv, por do të përfaqësohet me deputetët e saj vetëm në Kuvendin e Kosovës.