Rivaldo kritikon Coutinhon për gjestin ndaj Manchester United
Philippe Coutinho nuk duhej t’i bënte ato gjeste ndaj tifozëve të Barcelonës, siç veproi pas shënimit të golit, në fitoren e së martës ndaj Manchester United. I këtij mendimi është Rivaldo. Ndërkombëtari brazilian, i cili është kritikuar për mungesë vazhdimësie në këtë sezon, e festoi golin e tij duke u drejtuar nga tifozët dhe vënë gishtat në vesh.
Rivaldo, i cili fitoi dy tituj të La Liga-s me Barcelonën, midis viteve 1997 dhe 2002, e paralajmëroi bashkatdhetarin e tij. “Nuk ishte një gjest i mirë. Ai shënoi një gol të shkëlqyeshëm, por kurrë nuk është mirë ta bëjë diçka të tillë ndaj tifozëve, – tha Rivaldo për “Marca”.
Tifozët e kritikojnë atë, sepse e dinë se duhet të japë më shumë. Nuk e di se çfarë i ndodhi gjatë javës, çfarë lexoi në gazeta, apo pa në televizion, por gaboi me gjestin që bëri. Coutinho duhet të vazhdojë të punojë, të mendojë për ndeshjen tjetër, për golat dhe rezultatet pozitive.
Nëse shënon, gjithçka do të ndryshojë dhe do të jetë një lojtar i dashur për tifozët e klubin. Personalisht, do doja që të qëndronte në “Camp Nou”. Ai është një lojtar i madh, që nuk mund të largohet pa pasur sukses te Barcelona. Deri tani, gjërat nuk i kanë shkuar mirë. Megjithatë, të luash te Barça është diçka mbresëlënëse. Të gjithë flasin për këtë klub, nuk mund të gjeni një tjetër si ai në botë.
Coutinho ishte një nënshkrim shumë i shtrenjtë, Barcelona ka paguar shumë para për të. Ai nuk është një idhull i tifozëve, por duhet të ketë më shumë personalitet për të bërë ndryshimin. Ditën që Messi dhe Suarez nuk shënojnë, ai duhet ta bëjë këtë. Coutinho duhet të shënojë 25 gola në sezon dhe, përveç kësaj, të jetë përcaktues në ndeshje të rëndësishme”. /FaktePlus