Rival me parti, por Quni e Berisha bëhen bashkë në ministri si dikur në luftë
Ministri i Mbrojtjes që vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni prej sot edhe zyrtarisht ka marrë detyrën dhe do të jetë në krye të dikasterit të sigurisë.
Quni i LDK-së e ka pranuar detyrën e ministrit të mërkurën nga Rrustem Berisha i AAK-së, parti kjo që tani është në opozitë.
Por, duket se fakti që këta dy ishin bashkë 20 vite më parë gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka ndikuar që ceremonia e sotme e dorëzim- pranimit të detyrës në Ministrinë e Mbrojtjes, të jetë ndryshe në krahasim me ministritë e tjera.
Kjo, pasi Quni nuk e la të largohet tërësisht Berishën nga ministria, duke e emëruar si këshilltar të lartë politik.
“Pasi që kemi bashkëpunuar edhe në luftën e fundit dhe jemi këtu pas 22 viteve në një përsëritje të situatës, po e pranoj një detyrë nga një mik i imi që kam vlerësim të madh për të. Në ato kohëra nuk e kemi menduar që të krijohen situata të tilla që të kemi pozicione të ndryshme nëpër parti politike, por njëzëri kemi qenë gjithmonë bashkë. Unë nga ky moment pavarësisht që jemi në parti të ndryshme kërkoj nga ju që të kemi bashkëpunim dhe të jeni këshilltar i imi i lartë politik”, tha Quni.
E këtë detyrë të re, Berisha e ka pranuar me emocione dhe pa përtesë.
Ai tha se i vjen mirë që bashkëpunimi i tyre do të vazhdojë edhe më tutje në këtë dikaster.
“Antoni e theksoi që ne kemi bashkëpunim të mirë, por edhe më herët dhe çfarëdo kërkese që kemi e që lidhet me vendin unë kam qenë gjithnjë i gatshëm. Ka qenë nder të punoj në këtë ministri dhe sigurisht jam në gjendje të marrë këtë detyrë dhe të shërbej ende këtu”, tha Berisha.
Ndërsa, Berisha gjatë dorëzimit të mandatit ka theksuarv edhe sfidat me të cilat po përballen si ministri në tërësi dhe veçanërisht Forca e Sigurisë së Kosovës.
Ai këtu veçoi presionin e madh të Serbisë që po iu bënë pjesëtarëve serbë të FSK-së.
Ish- ministri Berisha tha se pavarësisht kësaj ende ka pjesëtarë të pakicave që i shërbejnë dhe kryejnë detyrat e Ushtrisë së vendit.
“Gjatë vitit të kaluar jemi përballur me një problem ku këtu drejtpërdrejt në pjesëtarët tanë të FSK-së ka pasur presion për t’u larguar nga shërbimi, e ky presion ka ardhur direkt nga Beogradi. Veçoj që si institucion ne kemi kryer punën tonë kështu duke përfaqësuar edhe pakicat andaj mund të themi se edhe sot kemi pjesëtarë të pakicave që i shërbejnë vendit me dinjitet”, tha Berisha.
Ndryshe posa është rehatuar në zyre edhe Anton Quni, i cili vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka vepruar njëjtë sikur kryeparlamentarja Vjosa Osmani, duke vendosur fotografinë e ish- presidentit historik Ibrahim Rugova./FaktePlus