Rimëkëmbja ekonomike e Kosovës, nga po i siguron paratë shteti dhe sa është vlera e pakos
Rimëkëmbja ekonomike e Kosovës pas përfundimit të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, do të jetë sfidë e madhe. E duke marrë parasysh dëmet e paraqitura, Qeveria e Kosovës ka themeluar Grupin Koordinues për trajtimin dhe adresimin e çështjeve ekonomike dhe problemeve që ka sektori privat si pasojë e pandemisë së COVID-19.
Qeveria në detyrë e Kosovës, përpos masave për t’i dalë në ndihmë shëndetit publik, tashmë ka marrë edhe masat për t’i dalë në ndihmë dhe sipas mundësive të rimëkëmbet sektori ekonomik.
Shumica e bizneseve në Kosovë, e thuajse gati nga të gjithë sektorët, kanë raportuar vlera të mëdha të humbjeve financiare dhe zvogëlim të kapaciteteve prodhuese, si pasojë e masave të marra nga Qeveria e Kosovës qysh nga 13 marsi, ku u ndaluan shumica e veprimtarive.
Deri më tani, nuk ka ndonjë shifër të saktë të humbjeve ekonomike, por sipas Ministrisë së Financave dhe Transfereve, vlerësohet se nga 6 milionë euro në ditë Kosova i humb për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Nga ministria e Financave dhe Transfere kanë bërë me dije për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se grupi punues është dike dizajnuar elementet e pakos për rimëkëmbjen ekonomike, pako kjo e cila kap 1 vlerën miliard euro.
Në lidhje me këtë, Qeveria e Kosovës parasheh të garantojë kreditë si dhe lehtësira tjera për bizneset, sidomos ato të cilat kanë pronar vajza e gra.
“Ky grup është duke dizajnuar elementet e pakos për rimëkëmbjen e ekonomisë. Kjo pako do ta ketë vëllimin e tërësishëm të mundësive mbi një miliard euro. Faktikisht injeksioni është shumë i vogël, por pjesa tjetër do të mbulohet nga sistemi bankar. Për këtë, Qeveria do të garantojë kreditë, merr përsipër normën e interesit. Lehtësira më të mëdha do të ketë për bizneset ku pronar të bizneseve janë femra, ideja është që kjo fazë të shfrytëzohet edhe si mundësi për fuqizimin e gruas. Gjithashtu me pakon e rimëkëmbjes ndihmë do të ketë për bizneset e reja, bujqësi, eksportues si dhe për amvisëri, sepse duhet te ngritët edhe fuqia blerëse”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media nga Ministria e Financave dhe Transfereve për FaktePlus.
Në anën tjetër në rimëkëmbjen ekonomike nga Qeveria është paraparë kostoja prej 1 miliard eurosh ku 300 milion është siguruar nga shteti si dhe të tjerat nga ana e kredive si dhe shitja e letrave me vlerë.
“Injeksioni për rimëkëmbjen e ekonomisë është një miliard euro, mirëpo nevoja për një programim nga shteti është më pak se 300 milionë euro, për arsye se pjesa tjetër mbulohet nga sistemi bankar. Ne kemi aplikuar për kredi në disa institucione, si në Bankën Botërore, në Fondin Monetar Ndërkombëtar, kemi marrë 50 milionë euro letra me vlerë, i kemi shitur Trustit Pensional të Kosovës dhe këto mjete do të shkojnë kryekëput për mbulimin e nevojave të Pakos së rimëkëmbjes dhe në të njëjtën kohë në parashohim një mbulesë të shpenzimeve për mallra dhe shërbime në masën e 50 milionë eurove. Dhe njëkohësisht rreth 100 milionë euro nga projektet kapitale dhe të gjitha këto pastaj mjaftojnë për ndërtimin e pakos së rimëkëmbjes ekonomike”, thuhet në përgjigje, e ku theksohet se aktualisht krejt çka duhet “është një parlament funksional që nuk bllokon qeverinë, por ndihmon qeverinë për të ndihmuar bizneset”.
Edhe pse Kosova është e goditur shumë nga pandemia, nga Ministria e Financave dhe Transfereve besojnë që Kosova do të rimëkëmbet ekonomikisht më shpejt se vendet e rajonit.
Kjo sipas tyre, pasi që sektori i restoranteve dhe turizmit kontribuojnë vetëm 1.5 deri në 1.8 për qind në të ardhurat ekonomike të vendit.
“Po ashtu duhet pasur parasysh se një sektor i madh që është bllokuar në këtë fazë, është i madh nga numri i të punësuarve, mirëpo nuk është i madh për nga kontributi në ekonominë e vendit. Ky është sektori për restorantet dhe turizmi. Këta sektorë nuk janë formalizuar në masën e mjaftueshme, rrjedhimisht edhe pse kanë 6 për qind të te punësuarve, ata kontribuojnë me vetëm 1.5 deri në 1.8 për qind në të ardhurat e përgjithshme të ekonomisë kombëtare. Kështu përmasat e dëmtimit në ekonominë e Kosovës janë dukshëm më të vogla se në vendet tjera, rrjedhimisht potenciali për t’u ripërtërirë më shpejt është më prezent në Kosovë sesa në vendet e rajonit dhe të tjera”, thuhet në përgjigjen e MFT-së.
Mirëpo fazën e rimëkëmbjes ekonomike e ka kritikuar opozita, e cila konsideron se deri tani nuk është bërë asgjë konkrete dhe se Qeveria aktuale është e vonuar me pakon e saj për rimëkëmbje.
Madje vonesat për në implementimin e fazës së parë si dhe asaj për rimëkëmbje ekonomike po shihen si të rrezikshme për bizneset dhe punëtorët e sektorëve të ndryshme.
Këtë e thotë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, i cili është edhe anëtar i Komisionit për Buxhet dhe Transfere.
Hamza në një bisedë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka thënë se deri tani komisioni i tyre nuk ka pranuar kurrfarë pakoje për shqyrtim nga ana e Qeverisë.
Ai thotë se mungesa e relacioneve Qeveri-Kuvend ka lënë anash disa procese shumë të rëndësishme.
Ish- ministri i Financave, Bedri Hamza vlerëson se pakoja e parë e ndërmarr nga qeveria është e vonuar, ndërsa faza e dytë për rimëkëmbjen ekonomike sipas tij është e pamjaftueshme.
“Nuk kemi pranuar asgjë si komision për fazën e parë e le më për fazën e dytë. Faza e parë është zbatuar një pjesë e saj edhe pse baza legale nuk është e qartë për shkak relacioneve Qeveri-Kuvend dhe do të jetë e pa mundur nëse do të respektohet ligji që në tërësi të zbatohet pakoja. Ne e kemi folur qëndrimin tonë që e para është e vonuar e dyta është e pamjaftueshme dhe e treta nuk është gjithëpërfshirëse ku nuk i adreson nevojat e bizneseve dhe nevojat e qytetarëve të vendit”, është shprehur Hamza për FaktePlus.
Ndryshe me qëllim të mos përhapjes së pandemisë COVID19, Qeveria e Kosovës nga 13 marsi ka marrë vendim për mbylljen e shumë bizneseve në vend.
Për t’iu dalë në ndihmë bizneseve dhe kategorive tjera të shoqërisë, Qeveria e Kosovës, me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, ka miratuar Pakon Emergjente Fiskale në vlerë prej 179,6 milionë euro./FaktePlus