Rimbursimi për Covid-19: Qytetarët morën afro 1 milion euro nga Komuna e Prishtinës

Në Komunën e Prishtinës kanë treguar se deri më tani për shpenzimet e Covid-19 janë paguar 14 mijë e 613 qytetarë. Kurse, vlera e parave të paguara është 916 mijë euro. Në komunë thonë se pagesat do të vazhdojnë deri sa të kenë mundësi buxhetore.
E.G është njëri ndër qytetarët të cilit Komuna e Prishtinës ia ndau 50 euro nga Sistemi i Granteve të Covid-19, me qëllim të rimbursimit të shpenzimeve gjatë trajtimit të këtij virusi.
Por, ai nuk ishte i vetmi në familjen e tij i cili shfrytëzoi të drejtën për aplikim, ngjashëm është bërë edhe për babanë e tij, i cili fatkeqësisht ndërroi jetë nga virusi korona, për të cilin u ndan 100 euro.
“Fillimisht kam aplikuar për babin tim ngase ka qenë i shtrirë në spital duke u trajtuar me virusin COVID-19. Duke parë shifrat alarmante që mu deshën t’i shpenzoja për trajtimin e këtij virusi, vendosa të aplikoj edhe për vete. Ani pse kjo shifër nuk mbulon as 1/3 e shpenzimeve të mija për babain dhe vetën, kjo shumë simbolike ndihmoi sadopak”, ka theksuar qytetari E.G për FaktePlus
Nga ana tjetër, në ndarjen e buxhetit të Kosovës për Prishtinën, sipas drejtoreshës së financave nga kjo komunë, Valbona Makolli, janë shpenzuar 916 mijë euro të ndarë për 14 mijë e 613 prishtinas të cilët kaluan virusin apo aplikojnë për personat që ndërruan jetë nga Covid-19.
“Deri më tani për shpenzimet e Covid-19 janë paguar 14,613 qytetarë në vlerë 916.000 euro .”, thuhet në përgjigjen e drejtoreshës së financave.
Ndërkaq, sipas qytetarëve, disa nga të hollat që nuk janë ndarë që nga periudha e muajit dhjetor, ku edhe ka filluar procedura e dhënies së të hollave, nga përgjigja e Komunës, iu thanë se do të futeshin në listën e ndërjës së të hollave për muajin Qershor të këtij viti.
Por, një shumë të tillë, Kryetari i Odës së Afarizmit, Besnik Krasniqi, për FaktePlus tha se është jashtëzakonisht e vogël ngase kostoja e shërimit nga virusi mund të shkoj në mijëra euro.
“Kjo shumë është jashtëzakonisht e vogël, duke marrë parasyqysh se Kosova nuk ka sistem dhe sigurim shëndetësor dhe kostoja e shërimit të një personi nga Covidi mund të shkoj me mijëra euro, varësisht nga gjendja që ka ai person”, ka theksuar Krasniqi.
Kujtojmë se Prishtina që nga muaji dhjetor të vitit 2020, pas aprovimt të kësaj pakoje ka nisur ekzekutimin e të hollave duke u bazuar në listat e IKSHPK-së
“Të gjithë qytetarët duhet t’a kenë parasysh që:
1) Aplikimi për këto mjete mund të bëhet nga çdo qytetar i Komunës së Prishtinës që figuron në zyret e Gjendjes Civile dhe që ka rezultuar pozitiv në testin RT – PCR (pra, që është në listat e IKSHPK-së).
2) Aplikimi duhet të bëhet nëpërmjet një email-i aktiv, pasi që aty do të pranoni kodin me të cilin do të identifikohet aplikimi juaj “KODI UNIK”.
3) Aplikimi mund të bëhet vetëm me llogari bankare aktive personale në Kosovë (jo me llogari bankare të familjarit apo kujtdo tjetër)”, është theksuar në faqen zyrtare të Komunës./FAKTEPLUS/