Rikthehet shfaqja më e realizuar në Kosovë, biletat shiten në kohë rekorde
Rikthehet shfaqja më e realizuar në Kosovë.
Shfaqja “Bretkosa” rikthehet sërish sonte në teatrin “Faruk Begolli” në AAB.
Edhe pse për disa herë radhazi është luajtur kjo shfaqje, tashmë të gjitha biletat për ta shikuar reprizën e shfaqjes “Bretkosa” janë shitur.
Kjo shfaqje e cila është një dramë psikologjike me regji të Burbuqe Berishës dhe me aktorët: Ilir Tafa, Donat Qosja, Basri Shala dhe Valmir Krasniqi, është paralajmëruar të mbahet sonte në orën 19:30 në teatrin kamertal AAB.
Shfaqja “Bretkosa” që është rrëfim për të gjithë njerëzit e ditëve të sotme, të cilët jetojnë në kohën e keqkuptimeve dhe vetmisë, në kërkim për dashurinë e jetën kuptimplote, ka bërë një bujë të madhe dhe vazhdimisht është duke pasur interesim nga njerëzit për ta parë dhe kuptuar mesazhin e saj.
Në këtë shfaqje luajnë: Zeka (Ilir Tafa), i cili është një veteran i luftës dhe vuan nga Sindroma Post Trauamtike (PTSD). Një njeri të cilin familja e ka lënë pasi që ka qenë i dhunshëm.
Në anën tjetër është vëllai i tij Toni (Donat Qosja). Ai është një burrë familjar i cili ka humbur punën dhe ngushëllimin e gjen në pijë dhe në kumar.
Vëllai i madh dëshiron ta bindë të voglin që të ndryshojë, ndoshta edhe me forcë. Në mes të gjithë kësaj gjendet miku i tyre, një taksist (Basri Shala) i cili ka ikur gjatë luftës dhe e ka lënë Kosovën. Si dhe shitësi i librave (Valmir Krasniqi).