“Rezistenca është jetë”, këto janë mendimet e “Zonjës X” që u dha premierë mbrëmë në Ferizaj
“Rezistenca është jetë”, këto janë mendimet e Zonjës X në errësirën e frikshme.Këto nuk janë vetëm fjalë, e as parullë në muret e burgut plot myshk, por, një formë e re e mbijetesës dhe e realitetit!
T’i mbijetosh dhimbjes fizike është sfidë por, t’i mbijetosh torturës shpirtërore është heroizëm! Zonja X është njëra nga ato heroina! Personazhi i Zonjës X përfaqëson, çdo grua, çdo krijuese, e cila me idetë, krijimet dhe veprat e saj e bën që shteti dhe pushteti të ndjehet i kërcënuar. Gjendja në të cilën ndodhet, do të ishte e padurueshme, pa zhytjet e saj në mendime dhe ikjes nga realiteti, duke krijuar brenda vetes copëza nga përvoja jetësore.
Personazhi tjetër, komisari i shtetit Dini, gjendet në dilemë, të zgjedhë në mes të jetës apo vdekjes, idealit apo dashurisë, tradhëtisë ndaj shtetit apo ndaj vetes . Ai detyrohet ta marë në pyetje ZonjënX, dashurinë e parealizuar e tij në hapësirën ku regjistrohen të gjitha bisedat e tyre.
Udhërrëfyese e Zonjës X bëhet shoqja e saj e fëmijërisë, Nina, e cila e udhëheqë në rrathë të jetës dhe e vetmja pikë shprese, që i jep mbështetje në realitetitn e ri, e cila, gjatë luhatjeve psikologjike tue Zonjës X, bëhet engjëll i saj mbrojtës si një Beatriçe e Dantes.
Vargjet e një poezie të shkruar nga ZonjaX, bëhen shkak i burgosjes i saj dhe shëndrohen në mesazhin e shfaqjes: mund ta vrasësh autorin por, asnjëherë veprën.
Fatkeqësisht ende jemi dëshmitarë të shtypjes ndaj të menduarit kritik dhe ndaj fjalës së lirë. Të qenit intelektual, krijues ose zë i arsyes, posaqërisht grua apo vajzë, jo vetëm në regjime totalitare por edhe në shoqëri të pa emancipuar, rrezikon distancimin apo edhe persekutimin.
Autore e këtij teksti është Seadet Beqiri, regjisori Kastriot Saqipi ndërsa në skenë e jetësojnë, Leonora Hasani si ZonjaX, Avni Dalipi si Dini dhe Blerina Veseli si Nina. Skenografia e bërë nga Skender Boshtrakaj, kostumet e pregaditura nga Eleonora Gagica, muzika nga Valton Beqiri,mjeshtri i dritave Hajrulla Elezi, grimi nga Mirjeta Brahimi, mjeshtër i zërit Naim Berishasi dhe mjeshtër skene Avni Ajvazi.