Reshjet e shiut, Ujësjellësi tregon a do të ketë mjaftueshëm ujë gjatë verës
Reshjet e mëdha të shiut ditëve të fundit në Kosovë, në disa rajone kanë shkaktuar vështirësi pasi kishte rritje të nivelit të ujit në lumenj. Mirëpo, tashmë gjendja është stabilizuar dhe lumenjtë janë në kuotat normale. Reshjet kanë ndikuar të rriten edhe rezervat e ujit në liqene dhe këtë verë nuk do të ketë mungesë të ujit të pijshëm.
Nga reshjet e mëdha të shiut, parashikohet se kjo verë do të jetë normale sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm. Niveli i ujit në liqenet e Kosovës, respektivisht në Liqenin e Batllavës është diku rreth 4 metra më pak nga kuota normale, ndërsa ai i Badovcit minus 5.40 metra.
Nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” kanë bërë me dije se reshjet e fundit nuk janë shqetësuese sa i përket turbullimit të ujit.
Arjeta Mjeku, zëdhënëse e KRU Prishtina ka thënë për FaktePlus se nuk ka vend për shqetësime përkundër reshjeve të fundit.
“Po bëhet një vit me reshje nën mesatare dhe kjo edhe ka ndikuar në rëniet e niveleve të liqeneve të Batllavës dhe Badocit. Aktualisht, Liqeni i Batllavës është mbi nivelin e detit 631 m.l.d (- 4 m) ndërsa, liqeni i Badocit është në kotën 644,39 m.l.d ( – 5.40m). Fatmirësisht edhe pse është rritë niveli i ujit pas reshjeve mbi vendin tonë, nuk kemi pas turbullirë të ujit në liqenet akumuluese sipërfaqësore, përveç para gati një muaj, turbullirë kemi pasur në kanalin e hapur të Ibër Lepenc, por që është kthjellë shpejt”, ka thënë Mjeku për FaktePlus.
Ajo tutje ka pohuar se Ujësjellësi Prishtina po arrin të furnizojë qytetarët me ujë të pijshëm pa ndonjë problem.
“Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” sh.a. me të gjitha mundësitë teknike të sistemit po mundohet të mbajë një tempo të rregullt të furnizimit me ujë, duke u siguruar qytetarëve të saj shërbime gjithnjë e më cilësore, filluar nga furnizimi stabil me ujë, cilësia e ujit dhe metoda efikase për realizimin e pagesave të tyre për shërbime të ujësjellësit dhe kanalizimit”, ka pohuar Mjeku.
Nga KRU Prishtina tutje thonë se janë dhënë këshilla për të kursyer ujin e pijshëm sidomos sezonin pranverë- verë në mënyrë që të ruhen rezervat e ujit.
Zëdhënësja Arjeta Mjeku thotë se nuk parashihet të ketë situatë emergjente me furnizim të ujit.
“Në këtë kohë jemi duke e menaxhuar situatën dhe tash për tash nuk kemi emergjencë apo situatë alarmuese për furnizimin me ujë, por duhet të apelojmë tek të gjithë konsumatorët për përdorim të ujit sa më racional, por thirrjet tona si duket asesi të merren për bazë kur është në pyetje të ruajmë ujin”, tha Mjeku.
Tutje nga Ujësjellësi thuhet se do të shqiptohen gjoba për keqpërdoruesit e ujit.
Kujtojmë se disa vite më parë Kosova kishte kushte të rënda sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm. Kjo si pasojë e thatësisë së madhe që ishte gjatë viteve 2013-2014 . Në atë kohë niveli i ujit në liqene ishte diku (- 14 metra ) nën kuotën maksimale./FaktePlus