Reshjet e dendura në Shqipëri shkaktojnë vështirësi
Disa qytete të Shqipërisë janë përfshirë nga reshje të dendura shiu.
Në disa zona është krijuar trafik i rënduar, përfshirë edhe kryeqytetin, pasi automjetet qarkullojnë me vështirësi nga reshjet e dendura të shiut, raportoi TCH.
Prej orëve të mesditës dhe deri në orët e mbrëmjes reshjet e shiut pritet të jenë me intensitet mesatar dhe të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa të forta elektrike. Në orët e vona të mbrëmjes, sipas Shërbimit Ushtarak Meteorologjik, në pjesën më të madhe të vendit, intensiteti i reshjeve bie duke mbetur prezente të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar.
Nga Durrësi është raportuar se stuhia me erë të fortë dhe shi e ka bërë të pamundur qarkullimin e këmbësorëve dhe mjeteve gjatë paradites, shkroi A2 CNN.
Është pezulluar përkohësisht dalja në det e flotës së peshkimit, ndërsa tragetet nga Durrësi drejt Barit u nisën me 8 orë vonesë për shkak të dallgëve që shkonin 6 deri 7 ballë në detin Adriatik.