Reshjet do të shpeshtohen – Sa janë gati komunat të përballen me vërshimet?
Vitet e fundit janë shpeshtuar rastet e fatkeqësive të ndryshme natyrore, sidomos nga vërshimet pasi janë prekur shumë komuna të Kosovës. Më të freskëta janë rastet në Rahovec e Suharekë, komuna në të cilat u shkaktuan dëme të mëdha si në tokë bujqësore, por edhe shtëpi banimi, për shkak të përmbytjeve nga uji. Pavarësisht se muajt e fundit kanë qenë me pak të reshura shiu, nga Instituti Hidrometeorologjik së fundmi paralajmëruan që ato mund të kthehen. Për këtë arsye disa komuna thonë se i kanë marrë masat e duhura që të mbrohen nga përmbytjet, ndonëse kanë frikë që do të jenë të suksesshëm me numrin e paktë të personelit dhe mjeteve të vogla financiare që i disponojnë për t’u përballur me vërshime.
Reshjet e shiut gjatë viteve të fundit në stinën e pranverës dhe vjeshtës, në disa komuna të Kosovës kanë dëmtuar sipërfaqe të mëdha. Qindra hektarë tokë bujqësore, por edhe shtëpi banimi, shpeshherë u mbuluan me ujë, pasi dolën nga shtrati disa lumenj në rajone të ndryshme.
E të përballur me përmbytjet e shpeshta, sivjet disa komuna duket se e kanë marrë më seriozisht mbrojtjen nga vërshimet.
Komuna e Pejës, Suharekës dhe Malishevës thonë se kanë marrë masat e duhura për t’u përballuar me situata të mundshme emergjente që mund të shkaktohen nga vërshime potenciale. Megjithkëtë këto komuna nuk janë edhe aq të sigurta nëse mund t’ia dalin t’i përballojnë vërshimet tejet të mëdha që potencialisht mund të ndodhin.
Në komunën e Pejës që drejtohet nga Gazmend Muhaxheri, kanë thënë se tashmë i kanë marrë masat e duhura, duke rregulluar në masën më të madhe shtratin e Lumbardhit, por edhe kanale tjera të ndryshme.
“Shtrati i lumit të Lumbardhit është në rregullim e sipër, në masë të madhe është rregulluar. Pastaj kanale të ndryshme jemi duke i punuar vazhdimisht, kryesisht është punuar në ato kanale që Pejën e kanë pru në një pozitë të pafavorshme dhe janë rregulluar, si p.sh kanali i Serabisë që ka qenë më i gjatë, kanalet te Xhemajl Kada e kanale të tjera të qytetit që shpeshherë kanë vërshuar. Pra, një pjesë e madhe është kryer, por akoma ka punë”, ka thënë për FaktePlus Muhamet Mahmutaj, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim në komunën e Pejës.
Edhe përkundër përgatitjeve, Mahmutaj shprehet i shqetësuar me mungesën e një Fondi Emergjent për çështjen e vërshimeve dhe për këtë fajëson Qeverinë.
“Fatkeqësisht nuk kemi fond të veçantë për kompensimin e dëmeve që bëhen shpeshherë. Nuk kemi fond të posaçëm si komunë. Ishte dashur që të jemi gjithmonë në konsultim me ministrinë dhe ishte dashur që ministria të ndajë një fond, i cili do të rrinte pasiv e të aktivizohej vetëm kur do të ishte e nevojshme. Por, ne si komunë nuk kemi fond të veçantë. Kryetari Muhaxheri financon në disa raste, por prapë nuk është e mjaftueshme”, ka thënë ai.
Edhe nga Komuna e Suharekës, po ashtu, kanë bërë të ditur se është bërë hapja e disa kanaleve dhe është rregulluar infrastruktura në vendet ku pati vërshime të mëdha, sidomos vitin e kaluar.
“Kemi bërë hapjen e dy kanaleve në vendet që vazhdimisht kanë qenë shkak i vërshimeve: Kanalin e Dubiqakut me një gjatësi prej 700 metrash dhe kanalin tjetër në Rrugën “Xhavit Sylaj” ish- Rruga e Reçanit me gjatësi 500 metra. Të dyja këto kanale kanë kushtuar rreth 400 mijë euro. Menjëherë pas vërshimeve që u bënë vitin e kaluar ( 15/16 gusht ) është rregulluar infrastruktura në ato vende ku ka pas vërshime, për të mos ndodhur më vërshime tjera”, thuhet në përgjigjet e kësaj komune për FaktePlus.
Për dallim nga Peja, kjo komunë ka bërë të ditur se e kanë një fond emergjent që mund të përdoret në vërshime të përmasave të vogla, por që nuk është ndarë ndonjë shumë nga Buxheti.
“Buxhet nuk kemi ndarë, por është një fond i veçantë për emergjencë. Janë rreth 70 mijë euro që ka mundësi të përdorët edhe për raste të vërshimeve me përmasa jo të mëdha”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim.
Megjithatë nga kjo komunë theksojnë se nuk kanë mjete dhe personel të mjaftueshëm për vërshime të mëdha, siç kishte ndodhur vitin e kaluar.
“Komuna ka mjete dhe personel për vërshime të nivelit jo të madh, ndërsa në rast të ndonjë vërshimi siç ka qenë vitin e kaluar nuk ka. Nuk besoj që ka ndonjë komunë në Kosovë, personel dhe mjete për vërshimet e përmasave të mëdha!”.
E në komunën e Malishevës thonë se masat e ndërmarra përfshijnë rregullimin e shtratit të lumit Mirusha, ndërtimin e urave e ngritjen e nivelit të gatishmërisë për reagim të ekipeve kompetente.
“Janë marrë disa masa, përfshi rregullimin e shtratit të lumit Mirusha, në vendet e identifikuara, në Malishevë, Marali, Kërvasari dhe Gurishtë janë ndërtuar ura, është bërë ngritja e nivelit të gatishmërisë së ekipeve për reagim, në raste të vërshimeve”, thuhet në përgjigjen e komunës.
Nga Malisheva kanë potencuar se deri tash ja kanë ndalë mbanë, edhe pse pa Fond Emergjent në menaxhimin e situatave të shkaktuar nga reshjet e dendura.
Edhe kjo nga kjo komunë pohojnë se shqetësim kanë mungesën e mjeteve të duhura teknike dhe nëse eventualisht përballen me vërshime të mëdha edhe mund të mos ia dalin.
“Sa i përket mjeteve dhe personelit të duhur për t’u përballur me vërshimet, kjo varet nga niveli i vërshimeve, por bazuar në historikun e deritanishëm të menaxhimit të vërshimeve, ja kemi dalë mbanë, por ka mungesë të mjeteve teknike. Nuk kemi fond emergjent të dedikuar për kompensim të dëmeve nga vërshimet, pasi kjo varet edhe nga niveli i dëmeve që mund të shkaktohen”, nënvizohet në përgjigje.
Kujtojmë që vetëm në qershor të vitit të kaluar, shiu dhe breshëri pati shkaktuar dëme në vlerë prej 350 mijë eurosh në Suharekë. Për sanimin e tyre, edhe Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj pati ndarë mëse 1 milion euro. Nga Komuna e Suharekës, kanë bërë të ditur për FaktePlus se nga këto vërshime janë kompenzuar 970 ekonomi familjare me rreth 1 milion euro.
“Po janë kompensuar 970 ekonomi familjare me rreth 1 milion euro, ndërsa këtë vit janë kompensuar edhe disa fermerë nga Fondi i veçantë për kompensim të dëmit nga Drejtoria Komunale për Bujqësi”, thuhet në përgjigje.
Fare kompensim nuk është bërë nga komuna e Malishevës, të cilët kanë thënë se vetëm në raste të caktuara janë mbështetur të dëmtuarit.
“Jo kompensim, por në raste të caktuara janë mbështetur të dëmtuarit”, kanë thënë ata.
Vërshimet në vitet e fundit kanë krijuar gjendje të jashtëzakonshme në shumë komuna, pasi mes tjerash, kanë shkaktuar dëme të mëdha në tokat bujqësore, dëme në ekonomitë familjare dhe biznese.
Nga të reshurat, janë dëmtuar edhe sistemet e kanalizimit, janë kontaminuar puset që furnizojnë territoret rurale me ujë të pijshëm dhe sistemet e përpunimit dhe furnizimit me ujë të pijshëm, e në disa raste është rrezikuar edhe jeta e qytetarëve./FaktePlus