Renditja e FIFA-s për vitin 2021, kjo është pozita e Kosovës
Kosova e ka mbyllur vitin 2021 në vendin e 111-të në ranglistën botërore të ekipeve kombëtare të FIFA-s, pas publikimit të renditjes së fundit për këtë vit nga shtëpia e futbollit botëror të enjten.
Kosova e zë vendin e 111-të në renditjen e FIFA-s tani, njëlloj si në renditjen paraprake në nëntor.
Kombëtarja e Kosovës nuk e zhvilloi asnjë ndeshje në muajin e fundit, prandaj nuk ka ndryshim në renditjen e saj në FIFA.
Në shtator të këtij viti, Kosova e kishte shënuar ngritjen më të lartë në historinë e ekipit kombëtar në renditjen e FIFAs, duke e zënë vendin e 109-të.
Verdhekaltrit i zhvilluan 14 ndeshje në të gjitha garat në vitin 2021, prej të cilave gjashtë miqësore.
Por Kosova e fitoi vetëm një ndeshje zyrtare në 12 muajt e fundit, kundër Gjeorgjisë në kualifikime për Kupën e Botës, derisa katër fitoret e tjera erdhën ën ndeshje miqësore.
Në fushatën e dytë kualifikuese për Kupën e Botës në historinë e Kombëtares për Katar 2022 gjatë këtij viti, Kosova përfundoi e fundit në grup me vetëm një fitore dhe pesë humbje nga tetë ndeshje.
Kosova e mbylli vitin me pesë fitore, dy barazim dhe shtatë humbje.
Ecuria tejet e dobët e dardanëve çojnë në shkarkimin e vonuar të trajnerit Bernard Challandes në tetor, zëvendësuesin e të cilët Federata e Futbollit e Kosovës nuk e ka gjetur ende.
Kosova do të pushojë deri në muajin mars, kur do ta nisë edicionin e tretë të Ligës së Kombeve në Ligën C, nivelit e tretë të garës së UEFA-s.
Verdhekaltrit janë në Grupin 2 bashkë me Irlandën e Veriut, Greqinë dhe Qipron ose Estoninë. /