Rekordmenes i mohohet vrapimi në 100 metra pas gabimit administrativ
Sprinterja nigeriane Favour Ofili nuk do të garojë në 100 metra në Lojërat Olimpike “Paris 2024” pasi Federata Atletike e Nigerisë dhe Komiteti Olimpik i Nigerisë nuk e kanë regjistruar atë për gara.
Ofili kërkoi llogari nga përgjegjësit dhe vuri në dyshim besueshmërinë e të dyja organizatave. Ajo shpreson të marrë pjesë të paktën në 200 metra dhe në stafetë 4×100 metra.
“Me keqardhje të madhe më kanë thënë se nuk do të garojë në 100 metra në këto Lojëra Olimpike. U kualifikova, por Federata dhe Komiteti nuk më regjistruan. Unë kam punuar katër vjet për ta fituar këtë mundësi. Pse?”, ka shkruar nigeriania në rrjetet sociale.
Federata Atletike e Nigerisë ka thënë se befasohet se si emiri kampiones së vendit mungon në garën e 100 metrave në Paris, duke këmbëngulur se ajo ishte e regjistruar në 100 metra, 200 metra dhe stafetë 4×100 metra.
“Ofilin e kemi regjistruar. Nuk e dimë se si humbi emri i saj në 100 metra. Ky është qëndrimi ynë si Federatë”, ka thënë drejtori teknik i Federatës Atletike të Nigerisë, Samuel Onikeku.
Ministri i Sportit i Nigerisë, Lohan Owan Enoh ka kërkuar hetim për përjashtimin e atletes nigeriane nga gara 100 metra në Paris. Ai u ka bërë thirrje krerëve të Federatës Atletike të Nigerisë dhe Komitetit Olimpik të Nigerisë të sigurohen që Ofilit t’i mundësohet paraqitja në garat për të cilat ajo është kualifikuar.
“Federata Atletike e Nigerisë dhe Komiteti Olimpik i Nigerisë duhet të sigurohen që Ofili të mos privohet nga mundësia për të garuar në garat për të cilat ajo është kualifikuar dhe e regjistruar për të përfaqësuar vendin në Paris. Ajo është e përkushtuar të dëshmoj aftësinë e saj”, ka thënë Enoh.
Ai u zotua se do të ketë sanksione për neglizhencën e rëndë.
“Të gjitha palët duhet t’i marrin detyrat e tyre shumë seriozisht. Mënyra aktuale e funksionit të Ministrisë së Sportit nuk lejon paaftësi në asnjë nivel. Do të ketë sanksione pas hetimeve se ku dhe nga e ka origjinën kjo neglizhencë e rëndë”.
Në listën e publikuar nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës emri i atletes nigeriane figuron vetëm në garat 200 metra dhe 4×100 metra.
Ofili u kualifikua për 100 metra gjatë garave kombëtare të organizuara nga Federata Atletike e Nigerisë të mbajtura në qershor. Ajo fitoi titullin e saj të parë kombëtar me kohë prej 11.06 sekonda.
Në prill ajo siguroi paraqitjen në 200 metra me kohë prej 22.33 sekonda. Garat e atletikës në Lojërat e Parisit fillojnë të enjten me garën e ecjes 200 metra për meshkuj. Të premten fillon raundi i parë 100 metra për femra, garë në të cilën Ofili nuk do të paraqitet.