Regjistrohen pacientët e parë për një provë klinike për trajtim të coronavirusit në Britani të Madhe
Pacientët e parë në Britaninë e Madhe janë regjistruar në një provë klinike për trajtime të mundshme të Covid-19.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, studiuesit nga Universiteti i Oksfordit kanë filluar një trajtim të ri klinik, për të testuar efektet e trajtimeve të mundshme të barnave për pacientët e infektuar me coronavirus.
Deri më tani nuk është raportuar për trajtime specifike për coronavirus, dhe është e mundur që disa ilaçe ekzistuese të përdorura për kushte të tjera të jenë efektive.
Shkencëtarët thonë se ky trajtim si provë e terapisë së Covid-19, do t’u sigurojë mjekëve dhe shërbimit shëndetësor informacionin e nevojshëm për t’u përcaktuar se cilat trajtime duhet të përdoren në të ardhmen, madje thuhet se është aprovuar edhe nga një panel ekspertësh në Angli.
Trajtimi është lopivar-ritonivar, i cili normalisht përdoret për trajtimin e HIV-it, dhe deksametazonin steroid, që shërben për uljen e inflamacionit.
Efektet anësore dhe siguria e të dy ilaçeve janë të njohura, ndërsa raportohet se trajtime të tjera të mundshme gjithashtu do të përdoren për testim.
“Ekziston një nevojë urgjente që të aprovohen prova të besueshme për të trajtuar pacientët me Covid-19”, tha Peter Horby, profesor i sëmundjeve infektive në departamentin e mjekësisë Nuffield, Universiteti i Oksfordit.
“Të gjithë pacientët do të marrin kujdesin e plotë mjekësor, pavarësisht se cilit grup të trajtimit i përkasin”, ka thënë ai.
“Pacientët e vjetër që kanë rezultuar pozitiv për Covid-19 në spitalet NHS, do t’u ofrohet mundësia të marrin pjesë në trajtim”, është shprehur Horby.
“Pjesëmarrësit do të ndahen në mënyrë të rastësishme, për të marrë njërën nga dy ilaçet, të cilat janë studiuar”, ka thënë eksperti.
“Kjo do t’i jep hapësirë studiuesve të shohin nëse këto trajtime të reja janë efektive, ndryshe nga ato që janë duke u përdorur aktualisht”, ka shtuar ai.
Ndryshe këtë trajtim të ri e ka mbështetur edhe Zyrtari kryesor mjekësor Chris Whitty.